Në hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për skandalin “Babale” ka dalë së fundmi edhe emri i Agron Kuliçajt.
Kuliçaj ka qenë zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe njeri shumë i besuar i Sali Berishës.
Në kohë të ndryshme Kuliçaj është akuzuar për trafik nafte, për implikim në eliminimin e Kosta Trebickës, i cili ishte dëshmitari kryesor për përfshirjen e familjes Berisha në Gërdec, për zhdukjen e ish-këshilltarit të Dritan Priftit, Eduard Belegu, i cili denoncoi skandalin e trafikut me naftën virgine etj.
Një kabllogram i ambasadaës amerikane e implikon atë edhe me vrasjen e 4 policëve nga shtetasi Dritan Dajti dhe e akuzon për lidhje me këtë të fundit dhe dekonspirim të aksionit për kapjen e tij që përfundoi në mënyrë tragjike.
Sipas portalit Pamfleti “aktualisht po hetohen në tabulatet telefonike thirrjet me Agron Kuliçajn të personave që kanë dalë deri tani në skenë për rastin Babale”, veçanërisht me shtetasin Florenc Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake kur kjo drejtohej nga Lulzim Basha.
Pas Breçanit dhe Hoxhës, Kuliçaj është emri i tretë nga ata që njihen si “ish-kryepolicët e PD” që del në hetimet e falsifikimit dhe mashtrimit të rëndë publik që njihet në media si skandali “Babale”.(dita)