Vajza të bukura, që ekspozojnë hiret e tyre në ekran dhe që komentohen nga shumica vetëm për pamjen e tyre. Kjo është e vetmja gjë që po shohim ditët e sotme në televizion. Për pak famë dhe për të fituar një vend pune janë gati të përdorin imazhin e tyre për t’ia arritur qëllimin e të qënit i suksesshëm.
Kështu janë katandisur televizionet shqiptare, për të pasur sa më shumë shikueshmëri harrojnë etikën profesionale dhe se persona të grupmoshave të ndryshme i ndjekin emisionet e tyre. Shumë herë është ngritur si shqetësim nga personazhe publikë, janë ankuar se në ditët e sotme po shohin vetëm pornografi në ekrane por mesa duket të gjitha bien në vesh të shurdhët.
Jo të dashura vajza e gra shqiptare, të fitosh një punë nuk është e nevojshme të zhvishesh në intervistën tënde të parë për të lënë përshtypje të mirë tek ‘shefi’, të drejtosh një emision familjar nuk është e nevojshme që pjesë të argëtimit të ekspozosh gjoksin e shalët e tua për të thyer rekorde në shikueshmëri.
Publiku të zgjedh e të do për atë që je, për talentin që ke dhe sigurisht për pamjen por jo në këtë lloj mase. Populli ynë i dashur thotë ‘Gjella me kripë e kripa me karar’. Çdo gjë e ka një kufi, ndaj reflektoni! /Pamfleti