Televizioni “Ora News”, ka publikuar mbrëmjen e djeshme pretendimet e saj duke u bazuar në disa mesazhe aspak profesionale në adresë të presidentit Ylli Ndroqi, të cilat me të drejtë televizioni i quan shantazhuese.
Në mesazhet e publikuara shihet qartë, se si është kërkuar censurimi i lajmeve nga ana e disa funksionarëve të lartë të Bashkisë Tiranë, por dhe qeverisë, madje puna ka arritur deri aty sa gazetarë të këtij televizioni janë kërcënuar personalisht nga këta zyrtarë, por që televizioni nuk i ka publikuar me emër, përveç atij të kryebashkiakut, pasi nuk e sheh të arsyeshme të denigrojë individin brenda institucionit, por në rastin konkret po denoncon fenomenin e censurës në median audiovizive.
Pretendimet e televizionit janë se mësymja e policisë në ambientet e RTV Ora dhe Ora News mesditën e 3 gushtit 2020, ishtë kulmi i një presioni dhe shantazhi politik, ekonomik dhe k.riminal që ndodhte prej më shumë se tre vitesh ndaj drejtuesve të televizionit e kryesisht ndaj pronarit Ylli Ndroqi.
Madje disa nga pretendimet në kronikën e “Ora News” janë si mëposhtë:
“Prezantimi nga ana e Bashkisë së Tiranës i projektit për Teatrin Kombëtar, ishte vija e kuqe që ndau më konkretisht Erion Veliajn me “Yldon Media Group”, e më konkretisht me Ylli Ndroqin.
Ora News hapi ekranin si për ata që mbronin projektin dhe ata që e kundërshtuan. Drejtuesja e atëhershme e Departamentit të Informacionit njëkohësisht dhe moderatorja e edicionit qendror, Beti Njuma, ftonte në studio oponentët e këtij projekti.
Reagimi ishte i menjëhershëm. Për shkak të sensibilitetin që ka shkaktuar tashmë kjo çështje jemi të detyruar të publikojmë një pjesë e mesazheve të dërguar prej personazheve të njohur.
Të pasqyroje reagimet kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, ishte e barabartë me presion që i bëhej në mënyrë të menjëhershme pronarit të Yldon Media Group. Ndërsa puna e gazetarëve quhej ndjekie “Me bukë në trajse”…
Me kalimin e ditëve u bë e qartë se presioni dhe fyerjet nëpërmjet mesazheve nuk ishte vetëm për çështjen e Teatrit Kombëtar, por edhe për çdo shqetësim qytetar i pasqyruar në ekranet e “Yldon Media Group.”
Ishte pikërisht kronika e 26 nentorit 2019 për rrugën Hoxha Tahsim që sjell një mesazh pyetës-kërcënues me shumë pikëpyetje…
Dhe sërish ndërhyrja është e madhe dhe e fuqishme. Dhuna verbale nëpërmjet mesazheve, fyerjet ndaj Beti Njumës dhe të tjerë gazetarëve të RTV ORA dhe Ora News vijuan ditë pas dite. Janë me dhjetra-qindra mesazhe, të cilat të shoqeruara me linkun përkatës dhe me presionin e radhës, mbërrinin në telefonin e Ylli Ndroqit gjatë gjithë ditës, deri afër mesnatës.
Shantazhet ndaj Ylli Ndroqi nuk erdhën vetëm nga politika, biznesi dhe bota e k.rimit por në emër të Erion Veliajt, Ylli Ndroqi, pronari i Ora News është shantazhuar edhe nga pronarë mediash, gazetash e portalesh me lidhje të dyshimta ekonomike e k.riminale që k.ërcënuan me publikimin e çertifikatave personale të Ylli Ndroqit. Provat dhe faktet janë të pakontestueshme.
Por gazetarët vijuan punën në respekt të shikuesit dhe në emër të informimit. Edhe pse ndërhyrje të tilla mund të cilësohen shantazh apo tentativë për të ndërhyrë në linjën editorial, asnjë prej këtyre veprimeve prej pushtetit apo bandave nuk fshihte dot faktin se qyteti kishte problem dhe se qytetarët në dritaren e vetme mediatike që gjetën të hapur flisnin hapur për shqetësimet e tyre. Kjo gjë, sipas mesazh dërguesit ishte fundi një mardhënieje…
Të njëjtat kërcënime dhe shantazhe u bënë ndaj drejtuesit të “Yldon Media Group” edhe kur kompania lidhi kontratë bashkpunimi me kompaninë daneze “DynaTest”e cila përmes rrezeve X kryente skanimin e rrugëve të Tiranës, për të kuptuar nëse lekët e shpenzuara nga xhepat e qytetarëve ishin materializuar në punë apo ishte thjesht një cipë asfalti, nga ajo që rëndom quhet: Për të të hedhur hi syve.
E ardhur në Shqipëri më kërkesë të Yldon Media Group dhe e nënkontraktuar nga një kompani shqiptare, DynaTest u tërhoq me sa duket pas presionit, përmes atyre që dërguan habere deri ne Danimarkë.
Kjo ndodhi në fillim të vitit. Nga shkurti deri në fund të korrikut janë me dhjetra mesazhe, shantazhe telefonike, kontakte nga politika, bisnesi dhe bandat në adresë të Ylli Ndroqit për të devijuar linjën editorial të Yldon Media Group.”, thuhet në një pjesë të kronikës së përgatitur nga televizioni.
Ky material i prezantohet publikut, për të kuptuar kronologjinë e ngjarjeve, ndërsa pjesa tjetër e mesazheve, filmimeve dhe dokumenteve do të bëhen të ditura në fillim në seancë gjyqësore e më pas dhe për publikun e gjërë, përfundon kronika.