Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin, Ervin Karanxha pasi nuk ka mundur të justifikojë pasurinë.
KPK gjeti mungesë të burimeve financiare për Prokurorin e Tiranës, pasi ai rezulton se ka një bilanc negativ, domethënë ka shpenzuar më shumë se sa ka fituar ligjërisht.
Gjatë zhvillimit të seancës së sotme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka pasur debate dhe avokatët e tij janë nxjerrë jashtë nga efektivët e Gardës së Republikës. Ervin Karanxha është bashkëshorti i ish-gjykatëses Bernina Kondi, e cila u shkarkua disa muaj më parë sepse edhe ajo kishte probleme me pasurinë.
Komisioni konstatoi se prokurori Ervin Karanxha dhe bashkëshortja e tij tashmë e shkarkuar nga KPK, Bernina Kondi nuk kanë pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90.12 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2011 kundrejt çmimit 8.2 milionë lekë.
Sipas KPK, bashkëshortja e subjektit ka porositur një apartament në Berat për vlerën 6 milionë lekë kur ajo punonte si gjyqtare në atë qytet dhe ka përfituar kredi të butë për mundësimin e strehimit në shumën 5 milionë lekë.
Komisioni ka verifikuar edhe mundësinë e prokurorit Karanxha dhe bashkëshortes së tij për krijimin e kursimeve që kanë shërbyer për një pjesë të çmimit të apartamentit të blerë në 2011-ën. Relatorja tha se nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi për krijimin e likujditeteve gjatë periudhës 2003-2008, kur ai ka çelur disa depozita; konkretisht në shumat 10 mijë USD në vitin 2006 dhe 3000 USD të tjera në gjendje cash si dhe një depozitë 10 mijë USD në 2008-ën, nga e cila ka tërhequr po atë vit 8000 USD.
Si problem për pasurinë u relatua edhe një hua në shumën 1.2 milion lekë që bashkëshortja e Karanxhës ka deklaruar se e ka marrë në vitin 2010 nga vajza e tezes së saj, me qëllim likujdimin e një kredie të 2005-ës.
Edhe pse kredia është marrë nga bashkëshortja e subjektit para se ata të lidhnin martesë në vitin 2009, Komisioni ka hetuar mbi mundësinë e huadhënëses për krijimin e kësaj vlere me burime të ligjshme. Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2003-2016, KPK gjeti pamundësi financiare në vlerën e 3.4 milionë lekëve.