Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës për tentativën e arratisjes nga burgu 313 në Tiranë.
Në fund të seancës gjykata ka vendosur t’i lërë në izolim për 90 ditë, ndërkohë që prokuoria po kryen hetime nëse ka ndonjë prej policëve të burgjeve që mund të ketë bashkëpunuar.
Përballë Gjykatës Arbër Çekaj mohoi të ketë pasur plan që të arratisej. Ai tha se doli jashtë për ajrosje e se nuk e dinte se Fatmir Pjetri do të arratisej.
‘Dola për ajrosje, nuk e dija që Fatmiri do arratisej, shkova pas tij’- ka thënë Çekaj.
“Unë nuk kam goditur asnjë polic, i ndikuar nga gjendja e rënduar psikologjike, për shkak të burgosjes së babait tim, kam ndjekur në mënyrë instiktive Fatmir Pjetrin, kur e pashë duke u larguar. Nuk ka qenë meritë e policisë, ndalimi im, por vetë unë jam kthjelluar se kjo nuk është zgjidhje.
Unë nuk jam kriminel dhe respektoj ligjet e shtetit tim. Po të mos ishte kështu do të isha larguar për në Dubai ose ndonjë shtet tjetër, po të isha kriminel, do të isha duke pirë kafe në kosta rika. Pohoj se ka segmente të shtetit që po punojnë kundër familjes sime.
Jam thjesht viktimë, plani ishte i Fatmirit, këtë e ka pohuar dhe ai vetë. Kam qenë me kafe në dorë, dhe kur e kam parë të largohej e ndoqa nga pas, pa e ditur se ku po shkonte. Kjo është e vërteta e vetme dhe gjithë të tjerat janë spekulime”, ka thënë Çekaj.