Avokati Spartak Ngjela ka qenë kryetar i komisionit hetimor për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri. Hetimi nga ky komision vazhdoi për disa muaj dhe me sa u mor vesh qysh në atë kohë, komisioni ishte i përçarë në qëndrimin se mbi kë binte përgjegjësia për tragjedinë. Ishin zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme të 29 qershorit 1997, populli kishte ndëshkuar me votë Sali Berishën dhe partinë e tij demokratike. Por kjo dukej e pamjaftueshme, pasi kërkohej më shumë: kërkohej se cilët ishin shkaktarët e tragjedisë dhe ndëshkimi i tyre. Dhe vetvetiu fajtori kryesor që tregohej me gisht ishte Sali Berisha, ish-presidenti.
Prandaj dhe parlamenti i dalë nga zgjedhjet e atij viti ngriti një komision hetimor me deputetë nga të dy krahët e politikës. Mirëpo, në fund komisioni doli me dy raporte. Ai që u paraqit nga Ngjela nuk u firmos nga anëtarët e tjerë të komisionit, ndërsa në parlament u paraqit raporti tjetër i miratuar nga shumica e anëtarëve të Komisionit, që nuk u firmos nga Ngjela, i cili u lexua nga deputeti Spartak Braho. Ky raport iu paraqit Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
DITA botoi raportin e Ngjelës dite me pare, një raport i panjohur deri më tani për publikun e gjerë. Në atë raport, Ngjela arrinte në konkluzionin se:
“E gjithë klasa politike shqiptare në të dy krahët e saj, pozitë, opozitë duhet të marrin me vete përgjegjësi për atë çka ndodhi tragjikisht me shtetin dhe popullin shqiptar. Por veçanërisht përgjegjësi të rëndë në planin moral dhe historik duhet të mbajnë ato forca politike dhe ata drejtues që përbënin pozitën e që drejtuan shtetin dhe kombin shqiptar gjatë periudhës ’96-’97.
Për shkaqet dhe faktorët që analizuam më sipër mbështetur në dokumente, dëshmi e fakte të shumta pozita, forcat politike, dhe shtetarët që drejtuan shtetin gjatë periudhës ‘92-’97 mbajnë përgjegjësi kryesore për shkatërrimin e shtetit shqiptar, të inkompetencës së strukturave të tij si ushtria, policia, SHIK-u për humbjet e pallogaritshme ekonomike e për mijëra viktima të vrarë të plagosur e të humbur në formën e gjenocidit si rezultat i përdorimit të dhunës kundër një pjese të popullsisë së vendit.
Në këtë kontekst veçohet edhe përgjegjësia direkte individuale, morale e ligjore e drejtuesve kryesorë të shtetit e institucioneve të tij ku më evidente Komisioni çmon se përpara kësaj përgjegjësia duhet të dalin ish Presidenti Sali Berisha, ish Kryetari i SHIK-ut Bashkim Gazidede, ish Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Adem Çobani, ish Ministri i Brendshëm Halit Shamata, Agim Shehu, Leonard Demi, Xhait Xhaferi, Shaban Memia e të tjerë, të cilët në bazë të nenit të ligjit nr 8251 të kalohen për hetim në organet e Prokurorisë.”
Duket sikur ka një kontradiktë në këtë pohim të Ngjelës? Sepse, në të vërtetë, ky konkluzion i raportit Ngjela nuk ndryshon shumë nga ai që ka arritur edhe raporti tjetër që mbajti Spartak Braho dhe që njihet si raporti zyrtar i Parlamentit.
“Nuk e kam mbrojtur unë Sali Berishën! Nuk gjetëm prova për ndjekjen penale të Sali Berishës, thotë Ngjela në këtë intervistë për DITA-n, duke lënë të nënkuptohet se dikush i ka fshehur provat. Kush i zhduku provat?
Mirëpo, çfarë mendon avokat Ngjela tani, pas njëzet vjetësh për atë raport dhe mbi të gjitha për përgjegjësit e tragjedisë së 97-s? Pse ai vazhdon të mendojë se për Berishën nuk u gjetën prova për ta dënuar dhe pse e konsideron tragjedinë një përgjegjësi kolektive të klasës politike shqiptare. Si një avokat i njohur dhe që i njeh mirë ligjet e shtetit, Ngjela argumenton dhe është konsekuent në qëndrimet që ka mbajtur në atë kohë dhe që vazhdon t’i ketë të pandryshueshme.
– Zoti Ngjela, sapo lexova raportin tuaj në emër të komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e vitit 1997, një raport që tashmë e kemi botuar edhe në DITA për herë të parë. Mendoni se jeni shprehur maksimalisht saktë mbi të vërtetën e asaj tragjedie?
– Po. Mendoj që jam përgjigjur saktë sepse kam dhënë arsyen juridike të autoritarizmit shqiptar dhe e kam përcaktuar qartë si autoritarizëm të Sali Berishës. Ky autoritarizëm vinte nga defekti i madh i Kushtetutës së atëhershme. Sipas asaj nëse krijohej një maxhorancë parlamentare e gjithë struktura shtetërore: edhe prokuroria, edhe gjykata dilnin tërësisht prej saj. Por nëse pastaj kjo maxhorancë vihej në dorë nga autoriteti i një personi atëherë ky person drejtonte gjithçka.
Plus kësaj raporti im e ka shprehur të gjithë hullinë sesi duhej të ecte hetimi për të krijuar goditjen penale ndaj abuzimit shtetëror.
– A ju duket normale që për atë tragjedi nuk u dënua askush?
– Hetimi parlamentar nuk ka të drejtën e dënimit. Ka vetëm hetimin në funksion të gjetjes së shkaqeve të përgjithshme. Hetimi parlamentar nuk është hetim individual kur është fjala për ngjarje ose fenomene, sepse analizon fenomenin të bazuar në fakte.
Unë nuk kam qenë dakord që të kërkonim fillimin e një procesi penal për Presidentin e atëhershëm të Republikës, sepse hetova vetë të gjithë korpusin dokumentar dhe nuk i gjeta asnjë shkelje. Të gjithë pretendonin se kishin marrë urdhra me gojë, por unë isha profesionist, nuk mund të vija me shkrim arbitrarizmin. Çdo të thotë kam marrë urdhër me gojë për të shkel ligjin, e kuptoni që është non sens?
Përsa i përket personave të tjerë që kishin marrë pjesë në ngjarje, natyrisht që kishin prova, ata shkuan në hetim, por prokuroria e degradoi çështjen, edhe pse përdori arreste. Por kjo nuk ka qenë detyrë e Komisionit të Hetimit Parlamentar.
Për t’iu provuar ato që ju thashë më lart, po ju jap një shembull: pretendohej se një pilot kishte marrë urdhër për të përdorur armë kimike kundër demonstruesve, në një apo dy qytete. Unë pyeta: a u hodhën bombat kimike? Jo, qe përgjigjja. Unë vazhdova të pyesja: a i morën në avion bombat kimike? Jo. A e keni urdhërin me shkrim nga Presidenti i atëhershëm, përgjigjja ishte jo. Atëherë unë duhej ta merrja si provë këtë fakt? Dhe ju mendoni se unë kam dashur të mbroj Sali Berishën? Jo zotërinj, kam mbrojtur veten time përpara historisë, sepse nuk ishte njeri i zakonshëm, por ishte Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë.
– Avokat, kanë kaluar më shumë se 20 vjet. A është e mundur të rihapet dosja e atij viti?
– Duhet të jemi të qartë që nuk duhet të ngatërrojmë përgjegjësinë politike nga përgjegjësia penale. Përgjegjësi politike për ato ngjarje kanë shumë persona duke nisur që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri e deri te Ministri i Brendshëm apo Shefi i Shërbimit Sekret.
Ka momente të caktuara kur presioni i madh që vjen nga populli krijon humbjen e ekuilibrit të një qeverie. Në momentet e humbjes së ekuilibrit thellohet kriza dhe përgjegjësia mbetet gjithmonë politike. Një Komision Hetimi Parlamentar i jep drejtimet e shkaqeve të krizës; dhe, nëse në këto përplasje shoqërore midis shtetit dhe shoqërisë vijnë dhe përcaktohen ose provohen krime individuale ato duhen goditur. Hetimi që iu bë më vonë kësaj çështje nga prokuroria e atëhershme ishte i çalë, joprofesional sepse praktika gjyqësore nuk kishte eksperiencë në një çështje të tillë.
Pyetja juaj është a mund të hapen, çelen apo riçelen tani hetimet. Hetimet mund të riçelen, por prova për përgjegjësitë personale nuk mendoj se mund të gjendet. Në ato ngjarje ka pasur defekte në drejtim edhe nga Presidenti edhe nga Parlamenti. Kjo prandaj quhet përgjegjësi politike, sepse është kolektive. Ishte i pari Napolon Bonaparti që me ndihmën e juristëve të mëdhenj francezë deklaroi që për shkelje kolektive nuk mund të ketë përgjegjësi personale. Ngjarjet e 97-s janë përgjegjësi kolektive, sepse gjen shkelje kolektive të përqendruara, madje në parlament.
Cila mund të ishte përgjegjësia e madhe politike e qeverisjes së asaj kohe? Lejimi me naivitet mbi funksionimin e firmave rentiere që u quajtën piramida. Unë e hetova personalisht nëse qeveria Meksi kishte apo nuk kishte gisht në krijimin e firmave piramidale, dhe nuk u gjet asnjë dokument. Ekzistenca e firmave dhe lejimi i tyre që të pushtonin tregun është gabim i rëndë politik i qeverisë Meksi dhe i Presidentit Berisha.
Duhet të kemi parasysh një gjë, që krimet shtetërore janë gjithmonë me dashje dhe me qëllim të përcaktuar. E kuptoni sa e vështirë është për t’u provuar?
– Ju në raport drejtoni gishtin te disa persona si përgjegjës të asaj që ndodhi. Një ndër ta, është Sali Berisha. A duhet të përgjigjet ai penalisht për 97-n?
– E shpjegova më lart, në raport midis përgjegjësisë politike dhe përgjegjësisë penale. Zotërinj, përgjegjësia penale kërkon prova dhe kur është fjala për Presidentin duhen prova me shkresë. Në momentet që kemi hetuar ne si komision nuk kishte prova me shkresë, në qoftë se i kanë gjetur le t’i paraqesin.
– Ju jeni ndër njerëzit më optimistë që kam parë për reformën në drejtësi që po bëhet. A vazhdon optimizmi juaj?
– Po vazhdon, dhe reforma në drejtësi është në progres. Ajo do të jetë shpërthimi i shqiptarëve, sepse të gjithë krizat tona edhe kriza e vitit 1997, edhe kriza aktuale e korrupsionit janë pasoja direkte të mungesës së pushtetit gjyqësor. Fakti që e gjithë kjo reformë e re shqiptare synon të rikonstruktojë në mënyrë moderne perëndimore drejtësinë shqiptare na jep të drejtën të shpresojnë se edhe në Shqipëri do të funksionojë shteti modern.(DITA)