Shqipëria pritet që në pranverë të hapë negociatat e anëtarësimit për në Bashkimin Europian. Në tetor Franca bllokoi vendimin pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por pas miratimit të metodologjisë së re të zgjerimit, presidenti Emanuel Makron ka vendosur t’i japë fund bllokadës.
Ditën e djeshme, presidenti francez Emanuel Makron ka bërë të ditur lajmin, gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë, ku ka folur për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së dhe për dy vendet kandidate që janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Konferenca është mbajtur në Mynih dhe Makron ka deklaruar nga aty se Franca do të presë përgjigjen e Komisionit Europian, dhe në rast se kjo e fundit është pozitive, atëherë Franca do të lëshojë pe duke hequr dorë kësisoj nga bllokada e tetorit dhe duke bërë të mundur një dritë jeshile për Shqipërinë në pranverë. “Ne duhet të shohim se çfarë thotë Komisioni, lidhur me përparimet e pritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për këto çështje. Dhe në funksion të parakushteve që unë kisha parashtruar, nëse rezultatet janë pozitive dhe besimi vendoset, atëherë ne do mund të jemi në gjendje që ta hapim bisedimet”, ka deklaruar presidenti Macron.
Franca ndërron qëndrim
Presidenti francez ka ndryshuar qasje ndaj vendeve kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian. Kujtojmë se në tetor në mbledhjen e Këshillit Europian, Makron vendosi veto dhe pezulloi për pasojë shpresat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat prisnin një përgjigje pozitive, pasi sinjalet ishin dhënë nga vendet e tjera. Pas këtij vendimi të presidentit francez, u fol shumë në media dhe nga zyrtarë se, vendimi i tij erdhi si pasojë e problemeve që kishte vetë Bashkimi Europian brenda tij, andaj tani BE ka miratuar një metodologji të re zgjerimi, me të cilën edhe Franca është dakord, duke i hapur kësisoj rrugë Ballkanit Perëndimor.
Metodologjia e re e zgjerimit
Ishte Komisioni Europian ai që e hartoi këtë metodologji të re, e cila kujtojmë se u prezantua një javë më parë në Bruksel nga komisioneri për Zgjerimin, Oliver Harvelyi. Komisioneri foli lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriu, ku tha se rekomandimi i mëparshëm i Komisionit është ende i vlefshëm. Më tej ai shtoi se Komisioni është i mendimit se duhet të hapen bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Ne e dimë se megjithatë duhet të përditësojmë këtë rekomandim, me zhvillimet e fundit. Ka patur përparime ne të dy vendet të cilat unë i kam vizituar se fundmi. Ajo që kam parë është se ato kanë vijuar me reformat. Dhe ky është një përparim që ne duhet ta vëmë në tavolinën e Këshillit e mbi bazën e të cilave të debatojmë mbi rastin, se bisedimet për anëtarësim, së bashku me metodologjinë e re mund të nisin”, deklaroi Varhelyi.
Rriten shpresat për Shqipërinë
Sakaq duke parë panoramën e përgjithshme duket se shpresat për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut janë rritur dhe në mars mund të kemi një përgjigje pozitive. Franca nuk është e vetmja që ka dhënë sinjale pozitive. Një vend tjetër skeptik ishte edhe Holanda, e cila ka marrë një vendim për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, sa i takon procesit të rindërtimit pas tërmetit. Holanda ka vendosur të shtojë buxhetin që do të jepte për të ndihmuar Shqipërinë, duke dhënë sinjale kësisoj se ka ndërruar qasjen ndaj Shqipërisë. Duket se Shqipëria do të marrë hapjen e bisedimeve për anëtarësim, pasi sinjalet po shkojnë drejt konkretizimit, duke qenë se nga ana e saj, edhe Gjermania, e cila ka gjithashtu një peshë vendimtare, është shprehur publikisht në favor të hapjes së bisedimeve në mars.