Policia ka nisur një aksion të gjerë me arrestime në qytetin e Durrësit. Arrestimet dhe shoqërimet në drejtori po zhvillohen në kuadër të hetimeve për dëmet e tërmetit të datës 26 nëntor.
Sipas burimeve nga policia, në pranga kanë rënë Ahemt Doda, drejtor i Kavalishencës si dhe Kujtim Hasa nëndrejtor i Kavalishencës.
Shtëpia e Pushimit në Durrës, ku humbi jetën kryekomisar Bajram Hajdarmataj më 26 nëntor, ka qenë e dëmtuar rëndë nga tërmeti i datës 21 shtator. Pavarësisht raportit të ekspertëve që e konsideruan me “rrezikshmëri të lartë”, godina nuk u mbyll, por vazhduan normalisht aktivitetet dhe lëkundjet e fund nëntorit, sollën shkatërrimin e saj.
Gjithashtu deri tani janë shoqëruar në Polici, Arben Isaku, ish-drejtor ALUIZNI tashmë nëndrejtori i Kadastrës Durrës, Aldo Dakovelli shef sektori në Kadastrën e Durrësit dhe Artemis Malko punonjës terreni. Ata po hetohen për legalizim objektesh në kundërshtim me ligjin që u dëmtuan nga tërmeti.