Tërmeti me magnitudë 4.3 me epiqendër në Belsh i cili tronditi banorët e zonës dhe qyteteve të tjera të vendit rreth orës 20:00 të mbrëmjes, për sizmiologun Rrapo Ormeni nuk ka vend për panik. Në Dita Jonë në A2 CNN sizmiologu theksoi se tërmeti u ndje fuqishëm jo vetëm në zonën epicentrale, por edhe në Lushnjë, Elbasan, Tiranë dhe Berat dhe u shoqërua nga dy pasgoditje.
“Nuk ka vend për panik. Epiqendra e tërmetit është 6 km në perëndim të Belshit dhe 11 km në lindje të Lushnjës, gjithashtu dhe 23 km në jugperëndim të Elbasanit dhe 36 km në jug të Tiranës. Është ndjerë fuqishëm në zonën epicentrale në Belsh e Lushnje me intensitet 5 ballë. Është ndjerë dhe në Tiranë. ka pasur 2 pasgoditje. Në Elbasan, Tiranë e Berat është ndjerë me intensitet 4 ballë”.
Në Dita Jonë në A2 CNN ai tregoi edhe zonat më aktive sizmiologjike të vendit që gjenerojnë herë pas here tërmete.
“Zona Lushnje-Elbasan-Dibër janë zonat më aktive të vendit, sepse është një thyerje e madhe që shtrihet deri në jug, në Vlorë-Fier-Lushnjë-Dibër dhe shkon deri në Tetovë e Gjilan. Në këtë segment gjenerojnë herë pas here tërmete. Tërmetet kur kalojnë magnitudë 4.5 zakonisht shkaktojnë dëmtime”.
Sipas tij lëvizjet tektonike ndikojnë edhe në çarjet e tokave, kur janë tërmete me magnitudë 5.





