Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar me shumicë dërrmuese një rezolutë që e urdhëron Izraelin të largohet nga territoret e pushtuara palestineze brenda një viti. Mësohet se rezoluta u miratua me 124 vota pro, 14 kundër dhe 43 abstenime.
Shqipëria abstenoi së bashku me disa vende të tjera europiane ndërsa vetë Izraeli dhe SHBA votuan kundër rezolutës. Kështu, dje u shënua një nga rastet e rralla ku vendi ynë voton voton ndryshe nga SHBA.
Kjo është rezoluta e para që nga viti 1982 që shpreh hapur sanksionet kundër Izraelit dhe ku thuhet se: “Shqetësimet e Izraelit për sigurinë nuk mund të tejkalojnë parimin e ndalimit të përvetësimit të territorit me forcë”.
Kjo është gjithashtu rezoluta e parë e paraqitur nga Palestina që kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi në maj me 143 vota pro dhe 9 kundër për të përmirësuar statusin e Palestinës si vëzhgues në OKB duke i dhënë delegacionit palestinez të drejtën për të paraqitur rezoluta.
Votimi në fjalë pason një vendim historik në korrik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) që i kërkon Izraelit të ndërpresë praninë e tij të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndalojë menjëherë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve atje.