Pushimi i hetimeve nga Gjykata e Tiranës për lobimin rus të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar mjaft debate në radhët e politikës, ndërsa gjithashtu është komentuar edhe nga mediat, ku një vëmendje të veçantë ka marrë në ato të huaja.
Ka qenë prestigjiozja britanike “The Times” që ka publikuar dje një artikull të fortë ku tregon abuzimin e subjekteve të përfshira në korrupsion miliarda dollarësh, shitjen e armëve dhe çështjet e pastrimit të parave në ish-Bashkimin Sovjetik, Afrikë dhe Amerikën Latine. E për ta ilustruar këtë skemë kriminale “The Times” ka marrë si rast perfekt rastin e Lulzim Bashës, i cili sipas prestigjiozes britanike “shkeli rregullat e shpëtoi pa u ndëshkuar”.
Fotoja e lajmit është pikërisht Lulzim Basha, si ikona e një skandali kriminal me mbi 650 mijë dollarë financim të padeklaruar se nga buronin. “The Times” duke zbërthyer skemën e madhe të mashtrimit shkruan: “Në vitin 2018 regjistrimet publike treguan se kishte paguar qindra mijëra dollarë një lobisti amerikan në emër të Partisë Demokratike të Z.Basha. Z. Basha fillimisht u akuzua për pastrim parash, por kjo akuzë u rrëzua. Biniatta Trade u lejua të ndryshojë emrin e saj dhe pastaj të shpërbëhej vitin e kaluar pa identifikuar kurrë një pronar të vërtetë përfitues”.
Ndërkohë, po dje edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vijoi sulmet ndaj kreut të demokratëve, Lulzim Basha, pas vendimit të Gjykatë së Tiranës për të pushuar çështjen penale për falsifikim ndaj tij. Në një postim në “Facebook”, numri dy i PS publikon shkrimin e gazetës britanike “The Times”, që sipas tij, publikon prova të reja, që konfirmojnë përfundimisht faktin se një kompani skoceze guackë “(SLP) është në zemër të një hetimi mbi krimet e dyshuara të financimit të fushatës të Lulzim Bashës, kryetarit të opozitës në Shqipëri, i cili e shkeli këtë rregull i pandëshkuar.
“Hetim britanik për dosjen “Basha-675mijë dollarë”, provat e reja konfirmojnë pagesat dhe krimin. Partia Demokratike, jo i pandëshkuari Lulzim Basha sikurse e quan gazeta The Times, i detyrohen publikut shqiptar një përgjigje të menjëhershme”, deklaroi Balla.