Nuk kanë fund skandalet me falimentimin e “Veneto Banka”. Gazeta prej ditësh po tregon batërdinë që po bëhet nga disa kompani italiane të mbështetura dhe nga Banka e Shqipërisë, të cilat duan të grabisin shqiptarët. Pasi “Veneto Banka” falimentoi, kreditë e saj të këqija i mori kompania italiane SGA, e cila kontraktoi kompaninë shqiptare Tranzit për të mbledhur borxhet. Edhe pse shumë kredi kishin 1 ose 2 muaj vonesa, ato u cilësuan të këqija dhe nisën presionet ndaj kredimarrësve. Por së fundmi, SGA dhe Tranzit kanë nisur tentativat për të grabitur kolateralet që kanë lënë personat që kanë marrë kredi.
Këto kompani kanë dorëzuar me dhjetëra kërkesa në gjykatë, ku kanë kërkuar që të sekuestrohen pronat e kredimarrësve, me argumentin se nuk kanë shlyer kredinë. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga “Sindikata e Veneto Banka”, duke treguar sesi gjithçka po bëhet në fshehtësi të plotë dhe klientët do e marrin vesh se u janë sekuestruar pronat kur të shfaqet përmbarimi. “Ka shumë klientë të Veneto Banka sh.a., hipotekues, dorëzanës, që janë akoma të pa njoftuar që janë kërkuar “urdhra ekzekutimi” nga ana e “SGA spa” nëpër gjykatat e Shqipërisë. Këta klientë do ta kuptojnë që garancitë e tyre në favor të “Veneto Banka sh.a”., janë ekzekutuar vetëm kur të shohin në derën e shtëpisë apo pronës, përmbaruesit. Është ky qëllimi i “SGA spa” në Shqipëri, të nxjerrë urdhra ekzekutimi për t’i vendosur klientët përballë një fakti të kryer, në presionin që të paguajnë paratë tek një Shoqëri Mbledhje Borxhesh të këqija italiane që nuk ekziston”, thuhet në statusin e Sindikatës së Veneto Banaka në Facebook.
Heshtja e Sejkos
Më tej bëhet e ditur se janë shumë kërkesa në gjykata për të nisur sekuestrimin e pronave. Sipas ish-punonjësve dhe klientëve të “Veneto Banka”, kjo është në shkelje të ligjit, pasi po u sekuestrohet pasuria nga një kompani që nuk operon në vendin tonë. Pra po cenohet sovraniteti nga një kompani italiane. Por për atë që duhet të marrë masa dhe mbikëqyrë gjithë procesin nuk ka asnjë problem. Bëhet fjalë për guvernatorin pa mandat Gent Sejko, i cili dha garanci në fillim se do mbikëqyrte procedurat e falimentimit të bankës italiane, por deri më tani ka qenë palë me grabitësit e pronave të shqiptarëve. “Shoqëria Italiane e Mbledhjes se Borxheve të Këqija SGA spa ka dërguar në Gjykatën e Tiranes disa urdhra ekzekutimi gjatë muajve qershor dhe korrik 2019. A mundet që një shoqëri e huaj, në këtë rast italiane, të ekzekutoje me deklarata noteriale “Transferim Borxhesh” nga Shqipëria në Itali fillimisht tek një shoqëri në faliment, e më pas tek SGA spa? Me sa duket këtë si procedurë e lejon vetëm Banka e Shqipërisë dhe ZVRPP që për disa arsye që po hetohen nga Prokuroria e Tiranes, ka bërë ndryshimet e garancive hipotekore të klientëve shqiptarë të Veneto Banka sh.a. për në Itali tek LCA në faliment Veneto Banka”, thuhet më tej.
Sekuestrim pronash me akte noteriale
Më datë 25 shtator 2018 në Tiranë, përpara noterit Alket Mancka është nënshkruar një akt noterial, i cili vërtetonte se përfaqësuesit e pranishëm nga Veneto Banka në Lca” dhe “Sga spa” “deklarojnë që të gjitha kushtet për transferimin e kredive janë përcaktuar në përputhje me Marrëveshjen e Transferimit të Kredive dhe gjithashtu me Marrëveshjen për Transferimin e Kredive, ndaj këto kredi konsiderohen të miratuara nga ana e Veneto Banca spa në LCA tek SGA spa, e cila është edhe kreditori aktual i kredive, duke filluar nga dt. 1 korrik 2018″. Pra kreditë u shitën nga “Veneto Banka” te kompania SGA, e cila menjëherë nis procedurat për mbledhjen e borxheve. Për të nënshkruar deklaratën noteriale për “Veneto Banka në LCA”, me autorizim ishte z. Alberto Morini, i cili nuk ka ndonjë lidhje me LCA, por në të vërtetë është një punonjës i “Intesa Sanpaolo Bank”. Pra milionë euro prona po sekuestrohen vetëm me një akt noterial./ Sot/Kliti Topalli