Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, iu bashkua protesës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbrëmjen e kësaj të enjteje.
Në një prononcim për Euronews Albania, Mustafaj, tha se ndodhet në shesh për shkak se qeveria po pengon procesin e integrimit në BE dhe po varfëron çdo ditë e më shumë qytetarët.
Ai shtoi se Partia Demokratike dhe opozita kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike.
“Unë besoj se nuk kam arsye më shumë se 90% e shqiptarëve për të dalë në protest. Ne kemi një qeveri komplet të korruptuar, kemi një qeveri që po varfëron qytetarin, po pengon procesin e integrimit në BE dhe nuk ka standarde politike. Është përkeqësuar gjithçka, kështu që duhet të protestojmë.”
Mustafaj u shpreh se shteti ka nevojë për qeveri teknike për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai mori shembullin e Maqedonisë së Veriut duke u shprehur se ne duhet ta ndjekim.
“Ne kemi në rajon një eksperiencë shumë të suksesshme si Maqedonia e Veriut dhe krijimi i një qeverie 100 ditë para protestës i siguron jo vetëm alternancën e pushtetit, por edhe siguron zgjedhje të pa kontestuara,” tha Mustafaj.