Deputetët e Partisë Socialiste dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi kanë shpërthyer ditën e djeshme në akuza në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit teksa ishte i ftuar në një studio televizive dy ditë më parë bëri thirrje për revolta dhe përmbysje të qeverisë me dhunë. Por për socialistët këto deklarata të ashpra të ish-kryeministrit Berisha vijnë në një moment kur atij po i ngushtohet laku.
Gazeta kontaktoi disa nga deputetët dhe zyrtarët e mazhorancës, të cilët njëzëri pohuan se Berisha është në një moment tepër delikat, pasi është i tmerruar nga ngritja e SPAK. Fillimisht, ka qenë deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima, e cila në një prononcimi për gaztën “SOT”, shprehu dje bindjen se ish-kryeministri Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike dhe opozitës joparlamentare janë të frikësuar nga ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. “Patjetër që Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike kanë frikë nga SPAK-u”, deklaroi deputetja socialiste, Antoneta Dhima. Ndërsa deputeti tjetër socialist, Bujar Çela gjatë prononcimit për gazetën “SOT”, teksa e etiketoi Berishën si një vepër muzeale, theksoi se thirrjet e ish-kryeministrit për dhunë janë anti-kushtetuese, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet për të. Sipas tij, Berisha është frikësuar nga SPAK. “Sali Berisha është një vepër muzeale dhe nënë e gënjeshtrës që nuk e dëgjon njeri më. Por unë gjej rastin që t’i drejtohem Prokurorisë së Krimeve të Rënda të merren me këtë mostër kriminale që ta shoqërojnë tek vendi që i takon, në mënyrë që mos të vazhdojë të kryejë më krime të tjera si ato të shumtat që ka kryer deri tani. Berisha ka kohë që po e pret SPAK-un se e di vendin dhe prandaj po shfrytëzon këtë boshllëk dhe vonesë të tej zgjatur”, deklaroi deputeti socialist, Bujar Çela.
Koçi: Afrimi i SPAK ka nervozuar dhe frikësuar Berishën
Në të njëjtën linjë me deputetët socialistë është rreshtuar dje dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, i konsideroi thirrjet e Berishës për revolta si klithma anti-shtet dhe anti-integrim. Megjithatë, Koçi theksoi se reforma në drejtësi është e panegociueshme për mazhorancën ku ai bën pjesë, ndërsa shtoi se afrimi i SPAK ka ngjallur nervozizëm tek ish-kryeministri, pasi është i tmerruar nga reforma. Madje, zoti Koçi deklaroi se një tjetër arsye se përse Berisha është hedhur në sulm është aprovimi i Gjermanisë për t’i hapur negociatat Shqipërisë. Sipas tij, çelja e negociatave për Shqipërinë është një dështim për Berishën dhe Partinë Demokratike. “Thirrjet e Sali Berishës për revolta janë klithma anti-shtet dhe anti-integrim. Berisha e ka pasion dhunën. Kështu që, thirrje anti-shtet të artikuluara nga ai bëhen me qëllimin e vetëm që të rishikohet reforma në drejtësi. Por për mazhorancën reforma është e suksesshme dhe e panegociueshme. Kështu që, afrimi i ngritjes së SPAK dhe BKH ka ngjallur nervozizëm tek Berisha, pasi këto dy institucione do të rivendosin drejtësinë e munguar në vend. Madje, dua të shtoj se Berisha është duke vuajtur aprovimin e Gjermanisë për hapjen e negociatave. Kjo pasi Sali Berisha e quan këtë vendim si dështim të PD dhe të tijën personalisht”, deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. /Rigels Seliman