TikTok ka dështuar në përpjekjen e tij për të rrëzuar një ligj që mund të rezultojë në ndalimin e platformës në Shtetet e Bashkuara. Një gjykatë federale e mbështeti ligjin në një vendim të marrë të premten.
Teksa kanë mohuar argumentin e TikTok se ligji ishte antikushtetues, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Distriktit të Kolumbisë thanë se ligji nuk “bie ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara” dhe as “shkel garancinë e Amendamentit të Pestë për mbrojtjen e barabartë të ligjeve”.
Vendimi, të cilin TikTok pritet që ta apelojë do të thotë se kjo platformë është një hap më afër përballjes me një ndalim nga SHBA.
Ndërkohë, në muajin prill, Joe Biden nënshkroi një projektligj ku kërkonte që platforma t’i shitet një pronari të ri jo-kinez ose të ndalohet në Shtetet e Bashkuara, pas viteve të shqetësimit në Capitol Hill se kompania mëmë kineze “ByteDance” përbën një rrezik për sigurinë kombëtare.
Ligjvënësit janë shqetësuar se “ByteDance” mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me qeverinë kineze për mbikëqyrje, ose se qeveria kineze mund ta detyrojë kompaninë në algoritmin e TikTok për të përhapur propagandë.
Nga ana tjetër, TikTok ngriti padi për të bllokuar këtë ligj duke argumentuar se cënonte lirinë e fjalës së më shumë se 170 milionë përdoruesve të tij amerikanë.
Në një seancë dëgjimore në shtator, avokatët e qeverisë amerikane argumentuan se algoritmi i TikTok kontrollohet nga kompania e saj mëmë kineze dhe mund të përdoret për të ndikuar tek përdoruesit amerikanë.