Tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Sheremet Elzaj nga Policia e Gjakovës.
“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit”, ka thënë Elzaj.
Ai ka theksuar se personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e tre fëmijëve.
“Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, ka theksuar Elezaj.
Viktimat raportohet se janë fëmijë të moshës rreth 15-vjeçarë dhe një 14-vjeçar.
Ndryshe, Pal Lekaj i AAK-së, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se tre fëmijët janë nga familjet Rama, Morina dhe Mehmeti. “Tre engjëj të familjeve Rama, Morina dhe Mehmeti sot humbën jetën tragjikisht. Ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve dhe bashkëndjej me të gjithë ata që sot humbën më të dashurit e tyre”, ka shkruar Lekaj.