Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në llogarinë e tij në “X” ka reaguar në lidhje me tragjedinë që u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm në Koçan ku humbën jetën 51 persona. Rama në reagimin ka shprehur ngushëllimet e tij.
Ai theksoi se lutet për shërimin e të plagosurve dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre. Rama më tej shprehu gatishmërinë për të ndihmuar vendin fqinj me çfarëdo ndihmë që mund të kenë nevojë.
“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme. I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme,” shkruan Rama.
Një zjarr shpërtheu në një klub nate në qytetin Kotçani në Maqedoninë e Veriut në orët e para të së dielës, duke lënë dhjetëra njerëz të plagosur dhe 51 të vdekur. Zjarri shpërtheu dhe u përhap me shpejtësi në çatinë e klubit, duke shkaktuar një shkatërrim total.
Besohet se zjarri është shkaktuar nga efektet e ndriçimit, si fishekzjarre të cilat u ndezën në skenë gjatë koncertit. Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme e vendit, rreth 1500 persona ishin në ambientet e ngjarjes dhe ndiqnin koncertin. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovski, gjatë një konference për media konfirmoi se deri tani janë gjetur 51 viktima dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur, shumë prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Ministri Toshkovski ka thënë se autoritetet janë angazhuar me shpejtësi për të ofruar ndihmën e nevojshme dhe për të hetuar shkaqet e këtij zjarri tragjik.