Një vrasje me thikë e ndodhur në prill të këtij viti në fshatin Hot i Ri në Shkodër shkatërroi jetën e 2 familjeve; njëra humbi djalin vetëm 27 vjeç ndërsa familja e autorit ka frikë nga gjakmarrja.
Të afërmit e autorit jetojnë jashtë vendit. E vetmja që ka mbetur në Shkodër është familja e djalit të xhaxhait të autorit. Anesti Shkambi fajëson kushëririn jo vetëm për vrasjen e rëndë, por edhe për gjëmën që i shkaktoi familjes së tij. E ardhmja e tre djemve të familjes Shkambi është vënë në dyshim nga çmenduria e momentit të kushëririt të tyre. Djali i madh i shtëpisë Osvaldo Shkambi është detyruar të ndërpresë universitetin “Luigj Gurakuqi” ku studionte për administrim biznes dhe kohën e kalon mbyllur brenda shtëpisë.
Alvaro është vetëm 12 vjeç dhe ai ka një ëndërr të madhe, të bëhet një futbollist i njohur. Është pjesë e akademisë Vllaznia si portier por tashmë nga frika e gjakmarrjes nuk shkon më në stërvitje.
Afati i Besës, sipas Kanunit që respektojnë ende këto zona ka përfunduar për familjen Shkambi. Në këto kushte, 4 muaj pas vrasjes dhe pa besën e gjakësit, Anesti Shkambi ka marrë një vendim për familjen e tij. Tre djemtë, Osvaldon 19 vjeçar, Fernandon 17-vjeçar dhe Alvaron 12-vjeçar do t’i largojë nga Shqipëria drejt një shteti tjetër…Ata nuk ndihen më të sigurt. Pajtimi mbetet e vetmja zgjidhje për të ardhmen e këtyre familjeve, por sipas Anestit, në kushtet kur kushëriri i tij ka vrarë pa asnjë arsye shokun e tij Kolë Fermosin është e vështirë për ta tentuar pajtimin.
Gjithçka nisi të dielën e pashkës më 1 prill, kur Kolë Fermosi, 27 vjeç gjeti vdekjen pasi u qëllua nga shoku i tij Kristjan Shkambi jashtë një lokali pas një zënke.