Nëse fut emrin e ish-ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, fjala vjen tek search-i i “Rilindjes Demokratike”, do të gjesh dhjetëra shkrime kundër saj, për blerjen e një vile 1.6 milionë euro.
E njëjta gjë ndodh nëse e kërkon emrin e saj edhe në shumicën e portaleve shqiptare, të cilat kontrollohen nga PD-LSI.
Vlahutin u sulmua për më shumë se një vit dhe u akuzua se po shpërdoronte paratë e BE-së, duke blerë vila të shtrenjta.
Vetë zyra e BE-së në Bruksel nuk ishte e shqetësuar, pasi ata i kishin dhënë paratë për blerjen e vilës dhe e dinin çfarë kishte ndodhur.
Por opozitarët shqiptarë ishin të shqetësuar për paratë e BE-së dhe e bënë kalë beteje, për më shumë se një vit, vilën e blerë nga BE në Tiranë, por që ata ia faturonin Vlahutin.
Për këtë arsye, BE iu përgjigj akuzave të opozitës, me anë të një deklarate.
“Vendimi për të zgjedhur rezidencën e kreut të Delegacionit të BE-së në Shqipëri erdhi si konkluzion i një analize tërësore, që përfshiu një vëzhgim të tregut, një vlerësim nga një ekspert i pavarur dhe këshillimin e Oficerit Rajonal të Sigurisë së EEAS (Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian) në lidhje me aspektet e sigurisë.
Ky ishte opsioni më i mirë lidhur me raportin e përgjithshëm cilësi/çmim dhe përmbushjen e nevojave të ndërtesës si rezidencë e kreut të Delegacionit të BE-së, si siguria, lehtësirat dhe afërsia me Delegacionin e BE-së.
Vendimi u miratua nga Autoriteti Buxhetor i BE-së në janar 2015. Është e një rëndësie shumë të madhe për institucionet e BE-së që buxheti të jepet në mënyrë korrekte, transparente dhe me raportin më të mirë cilësi-çmim”, thuhej në deklaratën e BE-së.
Prej dy ditësh ndërkohë, është publikuar lajmi se Lulzim Basha është transferuar në zonën e vilave ku deri më dje akuzohej Romana Vlahutin.
Dhe ka marrë dy, jo një vilë. PD deklaron se i ka marrë me qira, por nuk ka lëshuar asnjë kopje të qirasë. Mediat ndërkohë, në shumica nuk e kanë botuar këtë lajm, duke e shmangur totalisht.
Pikërisht ato media që ishin të shqetësuara për paratë e BE-së, që bleu një vilë në zonën ku sot jeton Lulzim Basha, nuk iu bën përshtypje se ku i gjen paratë ky i fundit, që ka marrë jo një, por dy vila. Me siguri i kontrollon Edi Rama, i cili i urdhëron të mos e nxjerrin lajmin për vilat e Bashës.
Se ndryshe nuk ka si shpjegohet kjo heshtje për kryetarin e opozitës, që tërë ditën flet për varfërinë ku na ka zhytur Edi Rama, ndërsa në darkë vete e relaksohet në vilat luksoze, ku edhe nëse nuk i ka blerë dhe i ka marrë me qira, siç pretendon PD, duhet të paguajë 6 mijë euro në muaj për qiranë!