Një gazetar në Kosovë është dhunuar fizikisht mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë. Sipas mediave vendase, bëhet me dije se gazetari i sulmuar është Visar Duriçi. Ky i fundit ka thënë në polici se u dhunua nga 3 persona, ende të paidentifikuar.
Autorët e prisnin në hyrje të banesës së tij dhe e sulmuan gazetarin sapo doli nga makina. Visar Duriçi po kthehej për në shtëpi pasi ishte në një emision televiziv.
Ai pësoi lëndime nga goditje fizike dhe u dërgua në spital. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për këtë rast për të identifikuar dhe arrestuar autorët.