Si asnjëherë më parë në Eurovision Song Contest 2018, në Lisbonë të Portugalisë do të jenë tre këngëtarë shqiptarë. Ai që do të këndojë me flamurin kuq e zi është Eugent Bushpepa, si fitues i Festivalit të 56 të RTSH, me këngën e “Mall”.
Një këngë rrok që alternohet me vokalin e këngëtarit. Ai rrëfen historinë e tij personale të mallit pasi këngën e ka kompozuar kur ishte larg familjes.
Ermal Meta, është shqiptari fitues i edicionit të 68-të të Sanremos. Kënga e tij “Non mi avete fatto niente”. “Nuk më keni bërë asgjë”, së bashku me kalabrezin Fabrizio Moro, do të jenë përfaqësuesit e Italisë në Eurovizion.
Të dy këngëtarët realizojnë një himn kundër terrorizmit dhe vetë teksi i këngës rrëfen rëndësinë e të mos pasurit frikë, apo të vazhduarit e jetës pavarësisht tronditjeve nga e keqja.
Por Ermal Meta nuk do të jetë fieraku i vetëm në Eurovizion. Këngëtarja me origjinë shqiptare, po nga Fieri, Eleni Foureria, do të garojën nën flamurin qipriot në Festivalin Evropian të Këngës.
Aktorja, balerina dhe këngëtarja shqiptaro-greke është njëlloj si Meta, e ka filluar karrierën e saj në grup e më pas solo.
Kënga e saj “Fuego”, “Zjarr”, është kompozuar nga producenti dhe autori suedez Alex P.
Festivali evropian e ka një pikë të fortë gjeopolitikën, kështu që përfaqësia në të e tre shqiptarëve, është një lajm i mirë për artin tonë.