Nga Altin Ketro
“Presidenti Berisha merr në telefon kryeministrin Meksi dhe i thotë se ka informacione që Shemsie Kadria po largohet nga Shqipëria dhe duhet ndaluar, nuk duhet lejuar që të ikë nga aeroporti. Fatkeqësisht, ky telefon ishte bërë treçerek ore pasi avioni ishte ngritur lart në qiell.
Unë i shtroj pyetjen zotit Berisha, i cili e dinte edhe se ku i mjekonim dhëmbët ne: a nuk mund t’i dinte edhe orët edhe minutat e lëvizjes së Shemsies?
Nuk dua t’i bëj asnjë koment dhe asnjë akuzë kësaj çështjeje. Thashë vetëm një fakt sot, meqë vetë zoti Berisha hapi problemin e Gjallicës. Unë s’kisha ndërmend ta hapja fare.
Dua t’i kujtoj Saliut se libri i shkruar për të, “Berisha përmes Kasandrave”, nga i mirënjohuri shkrimtari Falli Bahriu dhe i sponsorizuar nga “Xhaferri”.
Ai [Berisha] ka ngritur një shërbim brenda Shërbimit (e ka fjalën për Shërbimin Informativ Kombëtar), një shtet brenda shtetit, që vazhdon akoma ta mbajë, për t’u bërë njerëzve ricatto (shantazh), për t’u bërë njerëzve presione, dhe nga kjo unë kuptoj pse ca të shkretë (!!!) kanë frikë të largohen nga ai.
Saliu tregon se nuk ka nxjerrë asnjë mësim dhe nuk ka pësuar asnjë korrigjim nga disfatat.
Megjithatë, është normale. Komunistët disfatat i kthejnë gjithmonë në fitore. Kështu që, edhe në këtë rast, ai tregon se është i pakorrigjueshëm.
Diagnoza ime si mjek, e sotme dhe përfundimtare, është se [ai] është: “I pakurueshëm.”
Kjo më lart është zbardhje e një deklarate për shtyp e mbajtur në vitin 1999 nga Tritan Shehu, dikur zëvendëskryeministër dhe sot drejtues politik i PD-së dhe kandidat i kësaj partie për zgjedhjet e 11 majit 2025, i prezantuar të enjten nga Berisha në bashkinë e Gjirokastrës.
Diagnoza që mjeku Shehu i bënte dje “pacientit” Berisha, mbetet aktuale edhe sot, ndonëse kanë kaluar mbi dy dekada.
E vetmja kërshëri që kam, është fakti se a i ka bërë Saliu “ricatto” Tritanit gjithë këto vite dhe, a hyn Tritani sot në radhën e të shkretëve që kanë frikë të largohen nga Berisha?!
Apo mos vallë, larg qoftë, është Tritani, ai që i bën “riccato” Berishës dhe është Berisha i shkreti që nuk e largon dot të përjetshmin kandidat humbës të PD-së për qarkun Gjirokastër?!