Në mesin e bisedimeve mes delegacioneve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se Volodymyr Zelensky nuk e ka lexuar planin e tij të paqes. Për këtë ai shpreh zhgënjim, teksa u pyet nga gazetarët lidhur me progresin në negociata.
“Po flasim me Putinin dhe udhëheqësit ukrainas, përfshirë Zelenskyn. Duhet të them se jam pak i zhgënjyer që Zelensky nuk e ka lexuar ende propozimin. Mendoj se Rusia është dakord, por nuk jam i sigurt nëse Zelensky është dakord; popullit të tij i pëlqen “, tha Trump.
Ndërkohë, Zelensky ka një axhendë shumë të ngeshur takimesh në këtë javë me udhëheqësit evropianë. Ai do të takohet në Londër, Bruksel dhe Romë. Këto takime vijnë pas ditësh itensive negociatash me amerikanët për t’i dhënë fund luftës.
“Ne tashmë po fillojmë një javë të re diplomatike: do të ketë konsultime me udhëheqësit evropianë. Së pari, çështjet e sigurisë, mbështetja e qëndrueshmërisë sonë, paketat e mbështetjes së mbrojtjes, pastaj mbrojtja ajrore, financimi afatgjatë për Ukrainën. Natyrisht, do të diskutojmë edhe një vizion të përbashkët, qëndrime të përbashkëta në negociata”, shkroi Zelensky.





