Presidenti turk Recep Tayip Erdogan dhe kryeministri i vendit Edi Rama inspektuan ditën e djeshme kantierin e rindërtimit në Laç ku punohet për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti.
Zona e parë e kësaj lagje të re do të financohet nga qeveria turke, ndërsa zona e dytë nga qeveria shqiptare. Gjatë fjalës së tij gjatë ceremoninë së zhvilluar presidenti i Turqisë, Erdogan u shpreh se kjo është një shenjë e miqësisë mes dy kombeve.
Ai u shpreh se Turqia i ka ardhur në ndihmë vendit me ndihma si edhe në ndërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Ndër të tjera, presidenti turk bëri me dije se vlera e këtij projekti kap shifrën e 42 milionë eurove. “Me rastin e kësaj ceremonie ndjej një kënaqësi të madhe që jam me ju.
Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin e tij si pikëllimin tonë. Pas tërmetit ne kemi dërguar katër maune me ndihma humanitare. Pas katastrofës ne ofruam edhe mundësinë për të ndërtuar shtëpitë pavarësisht pandemisë. Në gusht filluan punimet dhe sot po organizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa.
Shpresoj që ky projekt që përfshin 524 banesa, 42 milionë euro, të jetë i dobishëm që shtëpitë t’ua dorëzojmë sa më parë vëllezërve tanë shqiptarë që u dëmtuan”, tha Erdogan. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij teksa foli për projektin u shpreh se ky projekt për ndërtimin e lagjes së re do të transformojë komplet gjithë zonën. Kryeministri Rama theksoi se kjo është një lagje simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe solidaritetit të shtetit turk.
“Jemi këtu për të dëshmuar solidaritetin që Republika e Turqisë dhe Erdogan kanë shprehur që në momentet e para pas fatkeqësisë së madhe të 26 nëntorit dhe po ashtu edhe fjalën e mbajtur të presidentit dhe të miqve tanë turq. Është një lagje simbol i duarve të shtrënguara të miqësisë dhe solidaritetit që do jetë për kohët që vijnë si dëshmi e kësaj marrëdhënie të veçantë mes dy vendeve.
Turqia që në momentet e para angazhoi forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat”, u shpreh kryeministri Edi Rama.