Zbardhet dëhmia e plotë të shefit të krimeve në Komisariatin e Lezhës, Leonard Palushi, dhënë pas vrasjes së kolegut të tij, Saimir Hoxha, më 28 shtator të vitit të kaluar, pasi kishin asgjësuar një parcelë me kanabis.
Palushi është arrestuar sot me urdhër të SPAK dhe Arben Kraja tha se arrestimi ishte bërë me akuzën për shpërdorim detyre duke mos preferuar të japë detaje të tjera, me arsyetimin e sekretit hetimor dhe as detaje për rolin e tij në ndonjë aktivitet kriminal.
“Urdhër arresti është për veprën penale shpërdorim i detyrës. Detaje të tjera nuk mund të jepen sepse është pjesë e hetimit”, tha Kraja.
Por çfarë deklaronte në dëshminë e tij Leonard Palushi pas vrasjes së kolegut të tij Saimir Hoxha nga 21-vjeçari Aldi Rama në lagunën e Kune-Vainit në Lezhë?
Zyrtari i policisë shpjegon moment pas momenti veprimet që ka kryer bashkë me kolegët dhe vendimin që morën për të ndaluar automjetin ku udhëtonin tre të rinj, njëri prej të cilëve Aldi Rama, i cili qëlloi për vdekje me dy plumba babain e dy fëmijëve.