EULEX ofron 82 mijë euro si shpërblim për personin që do të japë informacione lidhur me vrasjen e një prej pjesëtarëve të saj Audrius Senavicius, 8 vite më parë në veri të Kosovës.
Kolegët e tij sot kanë bërë homazhe në vendin ku është kryer vrasja, ndërsa në faqen zyrtare, EULEX ka dhënë informacionin duke njoftuar më shumë detaje edhe për shifrën e majme.
Kujtojmë se polici i EULEX u vra para tetë vitesh si pjesëtar i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit. Doganieri 35-vjeçar lituanez, i cili kishte shërbyer për EULEX prej gushtit 2012, u vra në afërsi të Zveçanit nga persona të armatosur.
“Ishte e enjte 19 shtator 2013 kur kolegu ynë Audrius Šenavi?ius u qëllua për vdekje derisa ishte duke vozitur për në punë. Sot ne nderojmë kujtimin për të dhe shprehim keqardhje të thellë për familjen dhe të dashurit e tij. Paraqituni, nëse keni ndonjë informatë që mund t’i ndihmojë policisë.
Ne ofrojmë një shpërblim prej 82.000 euro për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e kryerësit apo kryerësve të kësaj vrasje. Për informata rreth raportimit të çfarëdo informate lidhur me vrasjen e Audriusit, ju lutemi të kontaktoni +383 38 284 181 ose vizitoni faqen tonë të internetit,”– thuhet në njoftim.