Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka komentuar situatën e krijuar në veri të Kosovës, ku ka deklaruar se në Kosovë në ditët e kaluara është evituar një nga skenarët më të vështirë, duke shtuar se situata është ende e vështirë. Ai fajësoi qeverinë e Albin Kurtit për përshkallëzimin e situatës, duke thënë se me lëvizjet e tyre të njëanshme po e sjellin rajonin në prag të konfliktit.
Duke iu referuar vendimit të Prishtinës për të penguar hyrjen në Kosovë me dokumente serbe, Vuçiç ka thënë se Kurti e ka gjetur justifikimin ligjor për një hap të tillë në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2011.
“Kjo marrëveshje, në emër të Serbisë është nënshkruar nga Borko Stefanoviç, shefi i ekipit negociator në atë kohë, duke gjykuar se ishte një dokument shumë i pafavorshëm për ne.
Nuk mund të lejojmë që personat nga Kosova të hyjnë në Serbi me dokumente të Kosovës, sepse kështu do ta njihnim pavarësinë e Kosovës. Dhe tani kanë interpretuar se mund të vendosin masa reciproke dhe se kanë të drejtë t’i pengojnë serbët të hyjnë në Kosovë me dokumente serbe”, tha ai.
Duke folur për vendimin e Prishtinës për pamundësimin e përdorimit të targave që janë lëshuar në Serbi, Vuçiç ka thënë se “ata nuk kanë aspak të drejtë”.
“Kam frikë se do të kemi shumë ditë të vështira. Skenari më i keq mezi u shmang. Nuk e di se çfarë mund të diskutojmë tjetër”, tha Vuçiç, duke shtuar se do të shkojë në Bruksel për bisedime me delegacionin e Kosovës, por se “nuk pret asgjë nga ato bisedime”.
Vuçiç tha se kushdo që mendon se mund të ruhet paqja me Kurtin e ka gabim, duke theksuar se situatat e incidenteve janë shtuar në mënyrë drastike që kur ai u bë kryeministër.
“Nuk mendoj se konflikti i përshtatet Perëndimit, nuk mendoj se u shkon për shtat amerikanëve, por kur bëhet fjalë për stand-up, ata gjithmonë do t’i mbështesin, është fëmija i tyre. Ju do ta mbështesni fëmijën tuaj edhe nëse faji është i barabartë ose më i madh se ai i fëmijës tjetër.
Kanë 25 vjet që e tundin këtë foshnjë. Unë nuk jam Millosheviç apo Tadiç, nuk jam mësuar të humbas, nuk kam kërcënuar askënd, por nëse përpiqesh të bësh diçka, do të përballesh me një Serbi tjetër”, tha Vuçiç, duke theksuar se bëri gjithçka për të ruajtur paqen.
Ai bëri të ditur se nesër pasdite do të bisedojë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.