Eliverta është një nënë e vuajtur, e cila ka humbur 4 fëmijë. Ajo ka një djalë të vetëm, Erorin me të cilin sot përballet në “Shihemi në Gjyq”, nga “E diela shqiptare”. Mes gjithë problematikës së tyre, Erori kujton momentin e dhimbshëm të humbjes së njërit prej vëllezërve, në të cilin ai ka qenë i pranishëm. Veç vuajtjes, Erorin e mundojnë edhe fjalët e njerëzve e akuzat se ai ka mbytur vëllanë, të cilin u përpoq ta shpëtonte.
Eror: Kam vajtur në plazh, kam qenë me varkat e këmbës, i di ato varkat e këmbës?
Eni Çobani: Po, që luhen me këmbë.
Eror: Hipa në një me djemtë e xhaxhait dhe me vëllain tim. Më porositi djali i xhaxhait “mos e merr se do të hidhet”. Jo, unë. Kur më shikonte kështu më erdhi keq, hajde thashë, e mora unë. Shkuam sa më mbulonte mua, e ndjeva se do hidhej. Kur u hodh në ujë, u hodha unë…
Eliverta: Kur më lajmëruan mua, e kishte nxjerrë televizori që filan kështu. Kur vajta unë, unë vajta kështu siç isha, më thanë hajde se ta kanë marrë Erorin në burg. Obobo thashë unë dhe ika, gjeta një furgon dhe shkova në Pogradec.
Eror: Donin ta çanin… vetëm një kushëri s’e la. “Po e çatë atë të morgut, do hyni në burg” tha.
Eni Çobani: Ju keni qenë aty kur u mbyt vëllai?
Eror: Unë kam qenë me vëllanë.
Eliverta: Ai u hodh të shpëtojë të vëllanë, ai ia kishte kapur këmbën, e tërhiqte poshtë, desh u mbyt edhe ky.
Eror: Më mirë të kisha vajtur me atë se sa të rri kështu, të vritem me tjetrin. E lus Zotin, pse s’më hëngre mua me vëllanë, thashë. Po më mbajnë njerëzit nëpër gojë, llafet.
Eni Çobani: Nuk duhet të flisni kështu se nëna juaj ka kaluar shumë probleme dhe shyqyr që ju ka juve…
Eliverta: E kishin marrë në burg, “mos e mbyte vëllanë për njëmijë lekë?”, e kanë akuzuar në polici, i kishin thënë djalit.
Eror: Më mirë të kisha ikur me atë se sa të rri unë tani…