Një grua, e cila besohej se ishte mbytur në det 18 muaj më parë, është shfaqur shëndoshë e mirë në po të njëjtin plazh të Indonezisë.
Ajo mbartte të njëjtat rroba që kishte veshur ditën e zhdukjes.
E përditshmja “RT” shkruan se rishfaqja e 53-vjeçares Nining Sunarsih është e mbushur plot e përplot me mister.
Ajo u tërhoq në janar të vitit të shkuar nga një dallgë masive, teksa ndodhej në plazhin Citepus të Sukabumit. Dhe po në të njëjtin breg nga ku ishte zhdukur, ajo u zbulua nga një afërme e saj rreth mesnatës të së shtunës së shkuar.
Çfarë e bën edhe më të çuditshme këtë ngjarje është se pak ditë pasi ishte zhdukur, në zonë u gjet një trup i pajetë, që fillimisht besohej se i përkiste 53-vjeçares.
Megjithatë, testi i ADN-së zbuloi se nuk bëhej fjalë për të.
Mediat vendase shkruajnë gjithashtu se rishfaqja e pabesueshme e 53-vjeçares vjen pasi xhaxhai i saj kishte deklaruar se e kishte parë disa herë në ëndërr dhe se ishte i bindur se Sunarsih do të gjendej e gjallë.
Banorët në Sukabumi thuhet se kanë mbetur të shtangur nga kthimi i saj.