Zyra e Emigracionit në Britani ka rënë dakord të pezullojë dëbimin e një gruaje shqiptare dhe të vajzës së saj, pasi tre deputetë apeluan vendimin në qeveri.
BBC shkruan se, shqiptarja ishte një studente drejtësie kur shkoi në Itali, ku thotë se u drogua dhe u shit për prostitucion.
Ajo arriti të shpëtonte dhe shkoi në Angli ku kërkoi dhe azil, por që iu refuzua. Tani shqiptarja, identiteti i të cilës nuk bëhet publik për arsye sigurie, jeton në Norfolk.
Tre deputetët e parlamentit në Norfolk, George Freeman, Richard Bacon dhe Clive Lewis ishin ata që e ngritën çështjen në Zyrën e Emigracionit. Sipas tyre, gruaja frikësohej se mund të vritej për çështje nderi nëse kthehej në atdhe me fëmijën dyvjeçare.
Ministrja për Çështjet e Emigracionit në Britani, Caroline Nokes, pranoi që të pezullonte deportimin dhe u vendos që shqiptarja të riaplikojë sërish dhe aplikimi i saj do të rishikohet në nivelet më të larta.
Deputeti i Norfolk-t të jugut, Richard Bacon tha se shqiptarja ishte në rrezik”
“Nëse ajo deportohet në Shqipëri … mund të jetë viktimë e një vrasjeje për çështje nderi”, tha ai.