Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka konfirmuar se gjatë muajit shtator nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksadër Vuçiç.
“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Takimi i 8 shtatorit u mbajt pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.
Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare.
Kosova, sipas zëvendëskryeministrit Bislmi, nuk dëshiron që të diskutohet sërish për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por do vetëm të diskutohet për zbatimin e tyre.