Nga Armir Mehaj
Fshati Kryezi në bashkinë e Fushë Arrëzit, i njohur për resurset turistike që vetë natyra i ka dhuruar, të cilat të alternuara bukur me ndërtesat tradicionale të tipit kullë, ndërtuar e ruajtur me fanatizëm nga vendasit, është një ndër zonat që i është gëzuar me së shumti përfshirjes në projektit qeveritar “100 fshatrat”.
Edhe pse banorët e zonës ende nuk janë të njohur se cilat do të jenë favoret nga përfshirja në këtë projekt, ata kanë bindjen se ëndrra e tyre e kahershme tashmë do të bëhet realitet dhe se zona e tyre të paktën do të promovohet si një prej mundësive që ofron Shqipëria e veriut për turistët vendas dhe të huaj.
Në Kryezi veç historisë dhe traditave që ruhen ende si pjesë identitare e zonës, bashkëjetesës unikale ndër fe e fise, mund të gjesh çdo gjë, që tek rruga e vjetër Adriatik-Dardani, ujërat e kristalta të lumit që përshkon zonën, mikpritjen e pashoq, dhe pamjet panoramike që rrallë mund t’i gjesh në një fshat shumë pranë rrugës nacionale.
Banoret e zonës duket se kanë filluar të mendojnë që tani për t’ju përgjigjur asaj çfarë pritet të ofroj fshati Kryezi, disa bujtina kanë filluar punën, të tjera po ndërtohen, ndërsa hartimi i guidave turistike drejt maleve, luginave apo lartësive me dëbore deri në verën e vonë, janë të tjera mundësi, pa harruar kujtimet e pashlyera në pishinat natyrore që ofron lumi i zonës.
Kryeziu në vetvete është një mrekulli natyrore e pashfrytëzuar, i cili alternuar me çdo element tjetër të kësaj zone ka çfarë ofron si pjesë e ofertës turistike në Shqipërinë e Epërme.
(m.k/BalkanWeb)