Të gjithë ata që kishin aplikuar për bileta në ndeshjet e Shqipërisë në Europian, morën dje një përgjigje. UEFA ka nisur procesin e përzgjedhjes së fituesve që kanë aplikuar për biletat e Europianit ku të shumtë janë edhe shqiptarët, pasi Kombëtarja u kualifikua në “Euro 2024” dhe u shortua në të njëjtin grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
Të paktë kanë qenë fituesit, ndërsa kërkesat janë shumë të larta. Të gjithë fituesit janë informuar me anë të një “e-mail”-i ku i kërkohet të vijojnë me pagesën, ndërsa të tjerët janë njoftuar se kërkesa e tyre nuk ishte e suksesshme.
Gjithsesi, nëse ata që kanë fituar një biletë, nuk vijojnë me pagesën deri në kohën që të lejon UEFA, ajo biletë kalon te dikush tjetër, në një fazë që do të zhvillohet më vonë.
Institucioni i futbollit i jep përparësi banorëve të vendit që organizon turneun apo qytetit që zhvillohet ndeshja. Në këtë rast atyre që banojnë në Gjermani.