Lufta në Ukrainë vazhdon, pushtimi rus nuk tregon shenja ndalimi. “Deti” i Zi” mund të bëhet pika ku mund të shpërthejë “Lufta e Tretë Botërore, pasi Vladimir Putin ka kërcënuar sërish botën.
Duke folur ditën e djeshme për doktrinën e re detare të Federatës Ruse, e cila përcakton qartë kufijtë e vendit, duke përfshirë Arktikun dhe Detin e Zi, Putin u shpreh se mbrojtja e këtyre territoreve “do të sigurohet me forcë dhe me çdo mjet”. Duke folur në paradën detare në Shën Petersburg për Ditën e Marinës, presidenti njoftoi se kishte nënshkruar dekretin për miratimin e doktrinës së re detare ruse.
Në dokument, shpjegoi ai, “ne kemi përcaktuar qartë kufijtë dhe zonat e interesave jetike kombëtare të Rusisë, ekonomike dhe strategjike. Para së gjithash, këto janë ujërat tona në Arktik, ato të Detit të Zi, Detit të Okhotskut dhe Beringut, Ngushticës së Balltikut dhe Kurilit”, tha Putin. Udhëheqësi i Kremlinit më pas paralajmëroi se Rusia “do të garantojë mbrojtjen e këtyre kufijve në mënyrë të vendosur dhe me të gjitha mjetet”.
Fjalë që tingëllojnë si kërcënim. Por jo vetëm kaq, Putin shtoi se brenda pak muajsh marina ruse do të marrë raketat hipersonike Zircon, zona e vendosjes së të cilave do të varet nga interesat kombëtare. Armët hipersonike fluturojnë me shpejtësi të paktën 5 herë me shumë sesa shpejtësia e zërit (Mak 5) dhe janë shumë të manovrueshme e në gjendje të ndryshojnë kursin gjatë fluturimit.
Ato janë të ndryshme nga raketat balistike, të cilat gjithashtu mund të fluturojnë me shpejtësi hipersonike prej të paktën 5 Makësh, por kanë trajektore të përcaktuar dhe manovrim të kufizuar.Aftësia për të lëshuar armë shumë të manovrueshme dhe me shpejtësi hipersonike, i jep një vendi një avantazh të konsiderueshëm, pasi armë të tilla mund të shmangin pothuajse çdo sistem të mbrojtjes nga raketat që është aktualisht në përdorim.
“Nuk ka rëndësi se cili është kërcënimi. Nëse nuk mund ta shihni, nuk mund të mbroheni prej tij”, tha gjenerali John Hyten, ish-zëvendës shefi i shtabit të SHBA-ve, gjatë një fjalimi në Uashington, në janar të vitit 2020. Rusia, me pak fjalë, Putini vazhdon “të përkul muskujt” në të gjithë botën.
Ukraina sulmon flotën ruse në Detin e Zi, SHBA tregon forcën
Putin është “xhindosur”, pasi Ukraina goditi të dje selinë e flotës ruse në portin e Sevastolit në Detit të Zi, me një dron ku kishte të montuar sasi eksplozivi. Autoritetet ukrainase bënë të ditur se si pasojë e sulmit në qytetin e kontrolluar nga Rusia, të paktën pesë persona u plagosën. Sevastopoli është qyteti më i madh në Krime dhe një port i madh në Detin e Zi. Ndërsa forcat amerikane dhe rumune kryen stërvitje të përbashkëta në afërsi të Detit të Zi.
Sipas zyrtarëve të Komandës Ajrore të NATO-s, kjo forcon kapacitetet për të reaguar në rast të një agresioni të mundshëm nga Rusia, pas tensioneve të rritura si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Forcat amerikane të dislokuara rishtazi në kufirin lindor të NATO-s zhvilluan stërvitje të përbashkëta me njësitë rumune në një bazë ajrore pranë Detit të Zi.
Vetëm dy ditë më parë, Komanda Ajrore e NATO-s drejtoi një operacion dinamik me rreze të gjerë mbi qiejt e Rumanisë, ku u përdorën avionë rumunë F-16, avionë francezë Rafale dhe avionë gjermanë Tornado, të cilëve iu bashkuan avionët e grupit luftarak të aeroplanmbajtëses “USS Harry S. Truman” të marinës amerikane që është dislokuar në Detin Adriatik.
Njësitë e Divizionit 101 Parashutist të ushtrisë amerikane morën pjesë në stërvitje luftarake, së bashku me formacione helikopterësh dhe avionësh luftarakë në bazën ajrore rumune “Mihail Kogalniceanu”, pranë qytetit bregdetar Konstanta.Në fjalën e tij, komandanti i misionit përmendi historikun e këtij divizioni të mirënjohur për sakrificat për të ruajtur paqen që Evropa ka përjetuar që nga viti 1945, angazhim të cilit po i përmbahet sërish.
“Kjo ceremoni, dhe ç ‘është më i rëndësishëm dislokimi ynë në Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki përfaqëson angazhimin e Shteteve të Bashkuara me aleatët në NATO. Secili nga këto vende shërbeu përkrah Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe ne jemi të nderuar që shërbejmë përkrah tyre sot”, tha komandanti i divizionit amerikan, Gjeneral Major Joseph McGee.