Kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij në Kuvend, e ka lënë të paqartë se çfarë do të ndodhë me shkarkimin e Presidentit Meta.
Ai ka thënë se Meta ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit me pëlqimin e PS-së, ndërkohë që i ka kërkuar ta lexojë me qetësi dhe kthjelltësi rezolutën që do të miratojë sot Kuvendi.
“Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit me pëlqimin tonë, Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe presidenti është garant i unitetit kombëtar jo interpretuesi subjektiv i kushtetutës dhe qëllimeve të mbrapshta politike të kujtdo qoftë jo më pastaj kur qëllimet e mbrapshta janë edhe të tijat.
Një president, që e argumenton një marrëzi antikushtetuese si anulimi i zgjedhjeve në mes të fushatës sikur shef filxhan me data gjëmash dhe rrugë gjarpëruese fjalish pa kuptim dhe kur e pyesin thotë ma përsërisni se nuk dëgjoj mirë, kohët e fundit kam qenë sëmurë, është sidoqoftë për të ardhur keq.
Duke shprehur keqardhjen time për të si njeri, si mik dhe kundërshtar, si kundërshtar e si aleat, si dikush që nuk ka bërë vetëm gjëra të këqija, por ka dhënë kontribute pozitive.
I uroj sot me gjithë zemër ta lexojë me qetësi dhe kthjelltësi rezolutën e këtij Kuvendi, nëse ka ende probleme me dëgjimin dhe nuk do t’i kuptojë qartë fjalët që po thuhen sot nga ky kuvend në adresë të tij”, ka thënë Rama.