Sali Berisha ka folur ashper ndaj SPAK. Kreu i Partisë Demokratike, u pyet sot, 14 nëntor, nga gazetarët se pse nuk u paraqit në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) lidhur me çështjen e “21 janarit”. Ai theksoi se nuk është thirrur dhe se e gjitha është një propagandë.
Gazetarët: Ditën e sotme nuk u paraqitët për “21 janarin”, ju i dini më shumë se kushdo tjetër pasojat e moszbatimit të urdhrit. I druheni faktit se brenda pak ditësh oborri i selisë së PD-së mund të mbushet me policë?!
“Për ju dhe çdo gazetar që unë respektoj, mos u keqpërdorni nga njerëz të papërgjegjshëm, të inkriminuar, mashtruese që e kanë shndërruar atë institucion në seksion të PS-së. Kam konstatuar një keqpërdorim dhe e them publikisht, mizor të gazetarëve nga këta individië, të lidhur kokë e këmbë me krimin, që më kujton keqpërdorimin që bënin seksionet e Sigurimit të Shtetit dikur. E kam deklaruar se unë i përgjigjem çdo thirrjeje, nuk ka asnjë lloj lëkundje nga unë në këtë qëndrim dhe nuk mund të ketë kurrë!”, u përgjigj Berisha.
Së dyti tha se “ata që e bëjnë veten bashkëpunëtor në një propagandë të turpshme, s’kanë moral e as ligj”.
“Atij që i dorëzon fletëthirrjen, i merret firma. Unë kudo, kam njerëz të përgjegjshëm, që kurrë nuk mund të ndodhë që të firmosin për një dokument që adresohet te unë dhe të mos ma japin. Por kjo i intereson Altin Troplinit”, theksoi kryedemokrati.
Nënvizoi se ai personalisht ka qenë “tejet i interesuar për hetimin e tragjedisë”.
“Duhej të zbardhej në interesin më të mirë të shtetit shqiptar”, tha ish-kryeministri, duke shtuar se kjo çështje po përdoret për të sfumuar skandalet e qeverisë.
I pyetur më tej se pse nuk e ka marrë fletëthirrjen e nisur në tre adresa, Berisha u përgjigj:
Kush s’e ka pranuar mor?! Po kanë thënë këtë, janë mashtruese ordinerë, të pafytyrë! Kujt ja kanë ofruar?! Unë zbatoj ligjin!
SPAK doli edhe me reagim zyrtar, ku thekson se Berishës i janë dërguar dy urdhër-thirrje, por zarfet nuk janë marrë nga rojet dhe janë kthyer mbrapsht…(Lexo më shumë)
Sigurisht, reagim që u pasua me kundërpërgjigjen e ashpër të kryedemokratit, i cili hodhi një sërë akuzash në drejtim të organit të drejtësisë.



