Ngushtohet laku për pushtetarët e korruptuar. Teksa na ndajnë dhe 4 ditë nga konstituimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, në lëvizje është vënë dhe kryeprokurori Olsian Çela. Sy e veshë këto ditë janë te Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi anëtarët e saj do të përcaktojnë se cilat dosje do të kalojnë te SPAK dhe cilat në rrethe.
Për të mos lejuar asnjë manovër dhe për një transferim të drejtë të dosjeve, Çela ka shkuar dje personalisht te Krimet e Rënda, ndërkohë që ka nxjerrë dhe një udhëzim të posaçëm.
Në këtë udhëzim, Çela ka renditur kategorinë e dosjeve që duhet të kalojnë te SPAK. “Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda sipas fazave të procedimit, pasi të identifikohen dhe rakordohen me regjistrat përkatës, të administrohen dhe inventarizohen aktet apo dokumentet, fashikujt e procedimit/çështjes penale dhe hetimeve pasurore të krijuara dhe/ose të ardhura në atë prokurori, të listuara sipas prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që i kanë në ndjekje, për dorëzimin administrativ dhe/ose transferimin për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme, të grupuara:
a) Në fazën e hetimeve paraprake: i) Kallëzime penale dhe/ose referime të veprave penale të regjistruara në regjistrin përkatës që janë në fazën e verifikimit; b) Procedime penale të regjistruara në fazën e hetimeve paraprake pa disponime me vendim gjykate në këtë fazë.c) Procedime penale të regjistruara me persona nën hetim dhe/ose të pandehur me masë sigurimi personal apo masë sigurimi pasurorë ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit apo me sigurim prove, apo veprime të tjera në këtë fazë të disponuara me vendime gjyqësore”, thuhet në udhëzim.
Fundosen Meta e Berisha
Udhëzimi i Olsian Çelës duket se fundos një kategori të lartë zyrtarësh. Sipas këtij udhëzimi, te Prokuroria e Posaçme nuk do të kalojnë vetëm dosjet që janë në hetim, por edhe ato që janë në fazë paraprake. Sipas burimeve të gazetës, dy dosjet më të rëndësishme që janë në këtë fazë te Krimet e Rënda janë: Padia e juristit Romeo Kara për aferën CEZ-DIA, ku të kallëzuar janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta; si dhe padia e Izet Haxhisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, ku e akuzon për 27 vepra penale.
Sa i takon dosjes së parë, ajo ka dy vite në këtë prokurori, por hetimet nuk janë pushuar. Për të pushuar hetimet duhet vendim gjykate dhe prokuroria nuk ka pasur asnjë kërkesë në gjykatë. Ndërkohë çështja e padisë së Haxhisë është në kulmin e saj, pasi ish-truproja i Berishës pak ditë më parë dha deponimet e tija në prokurori. Këto do jenë dy dosjet super të bujshme që do të kalojnë aty dhe mbetet të shihet nëse SPAK do i rihetojë.
Hetimet pasurore
Në udhëzimin e kryeprokurorit Çela bëhet me dije se te SPAK do të duhet të transferohen dhe dosjet e hetimeve pasurore. Në këtë listë bën pjesë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili po hetohet për 4 vepra penale. Sipas Çelës, kalojnë te SPAK: Referime apo kërkesa për kryerjen e hetimeve pasurore të regjistruara në regjistrin përkatës që janë në fazën e verifikimit;
Hetime pasurore të filluara ndaj subjekteve për veprat penale të përcaktuara në ligj me ose pa sekuestrim të pasurisë me vendime gjyqësore. /Kliti Topalli