Forcat turke të sigurisë kanë vrarë një person të konsideruar si terroristi më i kërkuar i PKK-së, Mehmet Yakışır, emri i koduar i të cilit ishte “Zeynel”, ndërsa njihej edhe si udhëheqës i organizatës terroriste për Mesdheun, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Brendshme e Turqisë njoftoi se të paktën dy terroristë të PKK-së u vranë nga forcat turke të sigurisë në një operacion kundër terrorizmit në periferi të provincës lindore Gümüşhane.
Deklarata thekson se në mesin e vrarëve është edhe Yakışır, apo “Zeynel”, një terrorist që kërkohej me fletarrest të kuq në Turqi. Ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu tha se ky ishte një terrorist që kreu një sulm të dhunshëm terrorist në Trabzon në gushtin e kaluar, ku la të vrarë Eren Bülbül, 15 vjeç.
“Tani ne mund ta kujtojmë në paqe Eren Bülbül. Keqbërësit tani janë në ferr, ndërsa Ereni në parajsë. Përgëzoj policët tanë të cilët vranë dy terroristë që po përgatisnin një sulm të ri terrorist. Policit të plagosur i dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Soylu në Twitter.
PKK-ja është një organizatë separatiste e cila ndodhet në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian dhe në SHBA. Gjatë fushatës tre dekadashe terroriste kundër Turqisë, terroristët e PKK-së vranë të paktën 40.000 njerëz.