Myrto Uzuni shkëlqen përpara syve të Lionel Messit në barazimin 2-2 që mori skuadra e tij, Ostin, përballë Inter Majemit në ndeshjen e parë në stadiumin e ri të këtyre të fundit.
Sulmuesit të Kombëtares shqiptare iu deshën vetëm 3 minuta për t’u bërë protagonist me një goditje dënimi, që u ndal në shtyllë.
Ostin e nisi mirë ndeshjen dhe shënoi golin e parë pas 5 minutash, por Lionel Messi vendosi menjëherë barazpeshën me një gol të bukur me kokë.
Në mesin e pjesës së parë ishte sërish momenti për Uzunin. Këtë herë, e djathta e tij nga jashtë zone përfundoi ngjitur me traversën.
Pak më vonë, dha një pasim të zgjuar për shokun e skuadrës, por topi u ndal në shtyllë. Në fillimin e pjesës së dytë, asisti i sulmuesit shqiptar ishte i duhuri për golin e avantazhit.
Në anën tjetër, Messi provoi me të gjitha mënyrat për të shmangur humbjen në ndeshjen e parë në stadiumin e ri, por nuk kishte saktësi. Në ndihmë i erdhi shoku i skuadrës, Luis Suarez, që realizoi golin e barazimit për ta mbyllur ndeshjen në paqe.


