Ndonëse ende nuk ka në horizont një marrëveshje zyrtare të PD me aleatët për zgjedhjet e 11 majit, Vangjel Dule e ka gati listën e qarqeve ku synon të ketë kandidatë nën kupolën e koalicionit.
“Preferencat për këto zona edhe në nivel prioritar, por në një koalicion nuk je dhe nuk vendos vetëm, merren parasysh dhe realitetet lokale. Ju vetë nuk e keni një qark? Qarku preferenciale thashë dhe isha i qartë, aty ku ke influencën më të madhe dhe në këtë rast është Vlora’, tha ai.
Edhe të tjerët, që pritet t’i bashkohen koalicionit opozitar në këto zgjedhje, e kanë shprehur dëshirën për t’u vlerësuar nga PD, si kryesuesja e koalicionit në bazë të peshës elektorale.
Më i qartë nga kompozimi i koalicionit, duket të jetë Ilir Meta, i cili ndonëse në burg, pritet të ketë emrin në listën e sigurt të Tiranës, ndërsa për kandidimin e figurave të PL në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë, në diskutime janë edhe qarqe të tjera.
Kreu i PR Fatmir Mediu gjithashtu pritet që vetë të jetë në zonë të sigurt, ndërsa kreu i agrarëve Agron Duka deklaroi se nuk do të garojë në këto zgjedhje, por në vend të tij kërkon 1 deputet, me gjasë në qarkun më me influencë, Durrësin.
Trenit opozitar në këto zgjedhje, me gjasë do t’i mungojë PDIU e Shpëtim Idrizit, e cila prej kohësh duket e larguar nga koordinimi me PD. Burime për Report Tv kanë konfirmuar se deri në këto momente nuk ka asnjë negociatë për koalicionin me kreun e çamëve.