Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe ish-zyrtari i lartë i Partisë së Punës, Muharrem Xhafa, janë përplasur sërish në distancë me njëri-tjetrin.
Ndryshe nga herët e tjera që “mollë sherri” ka qenë vetëm historia dhe roli i partizanëve dhe ballistëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas saj, këtë radh? benzinë zjarrit i kanë hedhur edhe deklaratat dhe akuzat politike të artikuluara në Parlamentin e Shqipërisë.
Këtë të mërkurë u mbyll legjislatura e nëntë e Parlamentit, ndërkohë në fjalën e tij të fundit si deputet në Kuvend, kreu i Ballit Kombëtar Alimadhi mes të tjerash akuzoi komunistët se masakruan patriotët e vendit dhe u prenë organet gjenitale që mos të krijonin familje. Madje, në fund të fjalës së tij, deputeti u dha një këshillë kolegëve socialistë në sallë. Ai ka sjellë në vëmendje kur gjatë komunizmit i referoheshin si armik i popullit, ndërsa theksoi se socialistët e sotëm duhet të heqin dorë, sipas tij nga kjo mendësi.
Xhafa: PS ka ikur nga identiteti
Por në lidhje me deklaratat e forta të lëshuara nga zoti Alimadhi dhe jo vetëm, dje ka reaguar edhe ish-eksponenti i lartë i PPSH, Muharrem Xhafa. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, u shpreh dje se kreu i Ballit ngatërron Kuvendin aktual me atë të kohës së Enver Hoxhës, ndërsa theksoi se faktet tregojnë se jemi në dy epoka të ndryshme.
Dhe për të treguar diferencën mes realitetit të sotëm dhe atij të djeshëm në Shqipëri, zoti Xhafa u shpreh se Parlamenti aktual është ilegjitim dhe se sipas tij edhe Partia Socialiste ka ikur nga identiteti i saj. “Kryeballisti ngatërron socialistët në Kuvendin antipopullor të sotëm të Shqipërisë me deputetët e vërtetë të Kuvendit Popullor të Shqipërisë të Partisë së Punës, kur ishte në krye Enver Hoxha.
Kryeballisti Adriatik Alimadhi e di bukurmirë se socialistët e sotëm në këtë Kuvend kanë vetëm emrin socialistë. Po ashtu, ai e di bukurmirë se socialistët e PS as kanë qenë e as janë komunistë të vërtetë, madje nuk janë as socialistë të vërtete! Ata janë anëtarë të Rilindjes! Partia e Rilindjes ka zëvendësuar me durim e për një kohë të gjatë, deri me puç të heshtur Partinë Socialiste të Shqipërisë!
“Rilindja”, është një parti e re, e djathtë e borgjezisë! Kush nuk e ka kuptuar këtë deri më dje, bën mirë ta kuptojë sot”, u shpreh ai.
Ballistët mashtrojnë për partizanët
Më tej gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, ish-zyrtari i lartë i Partisë së Punës, Muharrem Xhafa, i cilësoi akuzat e kreut të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi si gënjeshtra, ndërsa shtoi se ballistët mashtrojnë për partizanët.
“Përsa u përket përrallave që thotë Alimadhi, ai do të bënte mirë të thoshte qartë për publikun shqiptar, nëse gjatë LANÇ-it partizanët u kishin prerë vërtet ballistëve organet gjenitale? Ai në vijim duhet t’i thotë publikut tri gjëra: E para, kush paskëshin qenë ose janë gjallë sot ballistë pa organe gjenitale; së dyti, nga sa fëmijë kanë lindur ballistët pa organe gjenitale; dhe së treti, si u shtuan kaq shumë ballistët e pasardhësit e ballistëve, nëse baballarëve të tyre u ishin prerë organet gjenitale? Alimadh! Njeriu është i ndershëm kur thotë të vërtetën, jo kur ka suksese si gënjeshtër”, nënvizoi Xhafa.