18 vjet më parë ish-ambasadori amerikan Joseph Limprecht ndërroi jetë në bjeshkët e Lurës, teksa udhëtontë në këmbë nga qendra e fshatit drejt liqeneve të mrekullueshëm.
Ish-kryetari i komunës Hysni Buci thotë se “gojët e liga” mund të thonë çdo gjë. Disa thashetheme i kanë dëgjuar edhe lurjanët. Sipas tij Limprecht vdiq në krahët e bashkëshortes, duke u ngjitur në këmbë drejt 7 Liqeneve të Lurës.
“Më datë 19 maj 2002 ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte planifikuar një vizitë zyrtare në komunën tonë. Për mua dhe çdo banor të kësaj zone ky ishte një privilegj i veçantë. Të gjithë, pa përjashtim e pritëm me gëzim këtë vizitë. E konsideruam vlerësuam dhe dolëm për ta pritur në qendër të fshatit Fushë Lurë”, tha Buci për tirananews.al.
Buci shprehet se miku i dibranëve Joseph Limprecht shoqërohej nga bashkëshortja Nensi dhe zëvendësambasadori, edhe ai me bashkëshorten. Në orën 09.30 së bashku me disa zyrtarë lokalë e pritëm ambasadorin në zyrën kryetarit.
Buci tha se: “Ambasadori u shpreh i mahnitur nga mrekullitë e Lurës dhe u interesua për gjithçka, për hallet e banorëve të këtushëm. Së bashku pimë nga një kafe dhe nga një gotë raki kumbulle. Prej këtu së bashku vizituam një shtëpi muze në Lurë. Madje tani kjo kullë është pagëzuar nga banorët e zonës si “Kulla Limprecht.”
Atë ditë banorët e Lurës festonin ditën e Shënkollit. Për këtë arësye kryekomunari nuk ka patur mundësi të udhëtojë me ambasadorin drejt liqeneve, por janë dakordësuar që të drekonin së bashku në shtëpinë e Hysni Bucit, në Fushë Lurë.
Vetëm pak orë pas ndarjes nga ambasadori Joseph Limprecht me telefonon Prefekti i Qarkut Dibër dhe më jep lajmin e trishtë se miku amerikan kishte vdekur gjatë rrugës për t’u ngjitur te liqenet.
“Kryeministri Pandeli Majko, së bashku me ministrin e Shëndetësisë erdhën në Lurë pasi i njoftuan për gjendjen e rëndë shëndetësore të zotit Limprecht. Ambasadori amerikan pësoi një atak të fortë kardiak. Nga Tirana iu ofrua ndihma e shpejtë mjekësore. Me helikopterë erdhi mjeku i ambasadës dhe më pas dy ekipe mjekësh shqiptarë. Helikopterë të tjerë përfshi këtu edhe ato të trupave të NATO-s në Shqipëri erdhën për ndihmë por gjendja e rënduar shëndetësore e bënte të pamundur lëvizjen apo transportimin e tij, drejt Tiranës apo qoftë edhe jashtë vendit. Përpjekjet e shumta mjekësore nuk mundën ta shpëtonin dot. Rreth orës 16.00 të asaj dite ambasadori Josep Limprecht u nda nga jeta” e mbyll rrëfimin e tij Hysni Buci, ish kryetari i komunës Lurë.