Elena Curti, vajza biologjike e Benito Musolinit, është ndarë nga jeta. Huffington post shkruan se ajo ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Acquapendente në moshën 100-vjeçare.
Elena Curti lindi më 19 tetor 1922, ndërkohë që ajo ishte e bija e rrobaqepëses milaneze, por me origjinë nga Lodi, Angela Cucciati, që kishte një lidhje me Benito Musolinin, në vitin 1921.
Angela Cucciati u takua me Musolinin në Milano për t’i kërkuar lirimin e bashkëshortit të saj, fashistit Bruno Curti, i arrestuar për një zënke me disa shokë, njëri prej të cilëve kishte qëlluar me armë. Benito Musolini në vitet në vijim vijoi takimet me Angela në një hotel në Romë.
Elena Curti e mësoi vonë faktin se ishte vajza e Duçes, dhe këtë ia tregoi nëna e saj Angela.
“Isha 20 vjeç kur nëna më rrëfeu një mbrëmje pas darkës. E pyeta nëse Musolini ishte i informuar për këtë. Po, sigurisht, por ai preferon që ju të mos e dini tani për tani.
Që nga ajo ditë kalova ditë të tëra duke pyetur veten para pasqyrës dhe mbaja fotot e Duçes në duar, babait tim. Unë kurrë nuk kam pretenduar se jam vajza e fshehtë e Duçes, edhe nëse nëna ime dhe vetë Benito Musolini dyshonin për këtë. Por unë nuk e kuptoj pse pas kaq shumë vitesh duhet të flas për atësinë”, tha Elena Curti.