Kryebashkiaku Erjon Veliaj, mikpriti për herë të parë dje në Tiranë kryebashkiakun e Athinës, Haris Doukas, i cili mori pjesë në punimet e Samitit të B40. Ai tha se dy kryeqytetet do të vijojnë të ushqejnë një marrëdhënie të shkëlqyer mes tyre.
Ndërkohë, Veliaj theksoi se janë disa aktivitete fantastike që bëhen me qytetin e Athinës.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme të presim kryetarin e ri të Bashkisë së Athinës, Haris Doukas, në Tiranë. Më vjen mirë që udhëtimi i tij i parë është në Tiranë. Uroj që ky udhëtim të jetë një ogur i mirë, të jetë sukses për ju dhe një kontribut i jashtëzakonshëm për marrëdhënien shumë speciale që Tirana dhe Athina kanë bashkë.
Me qytetin e Athinës ne kemi përuruar Parkun Helen, organizojmë Maratonën e Tiranës dhe Triathlonën. Kemi disa aktivitete fantastike që bëjmë me qytetin e Athinës me më pak protokoll, por me më shumë energji. Mezi pres që, me kryetarin e ri, Doukas, të kemi një kalendar aktivitetesh që mund të bëjmë sidomos në fushën e aktrimit dhe inovacionit.
Teknopoli është një shembull fantastik në Athinë, ne kemi një tjetër shembull fantastik të Piramidës në Tiranë dhe besoj se mund të mësojmë nga njëri tjetri”, deklaroi Veliaj.