Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është takuar dje me djalin e multimiliarderit George Soros, Aleks Soros, i cili mesa duket është vënë në krye të punëve të fondacionit për Shoqërinë e Hapur, fondacion që ka influencë të fuqishme në rajonin e Ballkanit.
Aleks Soros ka ndarë një postim në rrjetet sociale, duke e nominuar Veliajn një ndër kryebashkiakët më të mrekullueshëm në botë. “Gjithmonë nder të jem me një nga kryebashkiakët më të mrekullueshëm të botës! Tirana është tashmë kryeqyteti i të rinjve të Evropës”, shkruan Aleks Soros në postimin e tij.
Duke ditur forcën e familjes Soros dhe fondacionit të tij në Ballkan dhe ndikimit që ata kanë te e majta shqiptare, mesazhi i djeshëm i Aleksit shpreh qartë se Erion Veliaj është beniamini i tyre pasardhës në momentin kur Edi Rama do të largohet nga drejtimi i qeverisë dhe PS.
Mesazhi i Aleks Soros vjen në një moment të çuditshëm, ku opozita shqiptare është e degraduar dhe mazhoranca po përjeton një krizë shumë të vështirë siç është kjo e çmimeve që mund të përshkallëzohet në destabilitet. Nisur nga situata aktuale edhe në PS kanë filluar të gëlojnë grupet rivale, që kërkojnë potencimin në rast largimi të Edi Ramës.
Qysh kur socialistët kanë ardhur në pushtet në vitin 2013, ka pasur debate mbi liderin e ardhshëm që do të zëvendësojë Ramën në krye të PS, ndërsa nuk kanë munguar edhe nominime emrash.
Por në politikë e sidomos në Shqipëri, terreni është i vështirë dhe bërrylat janë prezent gjatë gjithë kohës, kështu që për të dalë në krye, duhet të kesh lidhje të forta, mbështetje të brendshme dhe ndërkombëtare, apo edhe fuqi politke dhe financiare.
Deri më tani askush nuk ka guxuar që t’i tregojë “muskujt” Edi Ramës dhe ta sfidojë hapur, ndonëse në prapapavijë disa e kanë përgatitur terrenin për të qenë gati dhe t’u hedhur në sulm, sapo kryeministri aktual të vendosë të “pensionohet” politikisht.
Njëri prej emrave të lakuar në mandatin e parë se mund të katapultohej në krye të Partisë Socialiste ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Mirëpo ai tashmë është në burg dhe rrjedhimisht dyert për në politikë atij i janë mbyllur. Ndërkohë Tahiri nuk ishte i vetmi, pasi ambicie për të zëvendësuar Ramën kanë edhe të tjerë eksponentë të lartë socialistë.
Klanet në PS dhe promovimi i Veliajt
Sot që flasim PS është ndarë në dy kampe, ku njëri prej tyre përbëhet prej Sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri, ministres Belinda Balluku dhe zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, ndërsa tjetri nga kryebashkiaku Erion Veliaj, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Të dy këto grupe kanë fërkime të forta dhe sherr në prapavijë, por që në finale vendin e Edi Ramës do ta zëra më i forti. Gazeta “SOT” ka analizuar situatën në selinë rozë dhe rezulton se Erion Veliaj është një hap para të tjerëve. Pra fakti që djali i Soros ka simpati për Veliajn, tregon qartë se ky i fundit ka më shumë gjasa të jetë e ardhmja e PS. Zoti Veliaj gjithmonë ka qenë në qendër të vëmendjes dhe debateve.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Edi Rama ishte në dilemë nëse do të duhej të kandidonte për në krye të Bashkisë së Tiranës mes Erion Veliajt apo Blendi Klosit. Por asokohe ndërhyri fort multimiliarderi Xhorxh Soros, i cili loboi tek Rama për Veliajn.
Më pas edhe në zgjedhjet e 2019 dolën zëra se Veliaj nuk do të kandidojë për kryetar, por sërish kjo gjë nuk ndodhi, pasi ai loboi fort dhe fitoi të drejtën për të qenë kandidat i socialistë për Bashkinë e Tiranës. Vetë Veliaj takoi disa herë Xhorxh Soros dhe djalin e tij, ndërkohë që loboi fort edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai bërë disa vizita e takim në SHBA, duke bërë që ai të ishte kandidati i vetëm i Partisë Socialiste në Tiranë për “Lokalet” e vitit 2019.
Kryebashkiaku Veliaj, politikan i suksesshëm
Megjithatë përveç lobimeve të forta dhe simpatisë që gëzon nga familja e multimilardierit Xhorxh Soros, Erion Veliaj ka dhe një as nën mëngë që e veçon atë nga të tjerët. Zoti Veliaj është një politikan që ka korrur shumë beteja elektorale.
Aktualisht Veliaj është drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, ku si në zgjedhjet parlamentare të 215 prillit të vitit që shkoi, edhe në zgjedhjet lokale të 6 marsit, ai arrti të nxirrte socialistët fitues. Qarku Tiranës ka rreth 60% të votuesve dhe nën drejtimin e Veliajt, socialistë kanë korrur fitues në të gjitha bashkitë, si ajo e kryeqytetit, apo ajo e Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës.
Kjo do të thotë se nisur nga këto suksese të njëpasnjëshme, ai ka më shumë mundësi të jetë pasuesi i Edi Ramës në krye të selisë rozë. Ndërkohë Veliaj është edhe kryetar i Bashkisë më të madhe në vend, çka e vesh atë edhe me një pushtet të fort politik dhe financiar. Të gjitha këto tregojnë se ai do të jetë kandidaturë potenciale për të zëvendësuar Edi Ramën në krye të PS.
Madje ka një fakt interesant që pas vitit 2005, krerët e dy partive të mëdha kanë ardhur nga posti i Kryetarit të Bashkisë. Kështu, Edi Rama mori kreun e PS nga bashkia e Tiranës, e njëjta gjë ndodhi dhe me Lulzim Bashën. Erion Veliaj mund të jetë rast përsëritës, ku kreu i ri i PS të vijë sërish nga froni i Bashkisë së Tiranës. /Rigels Seliman