Erion Veliaj do të lërë për pak orë qelinë e paraburgimit në Durrës, ku qëndron prej shkurtit, për të marrë pjesë në seancën publike në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimimi i tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca do të nisë në orën 10:00.
Gjykata Kushtetuese njoftoi më herët praninë e Veliajt në seancë, pasi kishte shprehur vullnetin e tij. Për këtë arsye, gjykata kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve marrjen e masave për shoqërimin e tij si edhe SPAK-un.
Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn më 25 shtator duke u mbështetur në nenin 62, pika c, të ligjit për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.
Veliaj arsyeton se neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, dhe vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ai thotë se mungesa e tij në detyrë ka ardhur për “pamundësi objective” pasi ndodhet në paraburgim.
Nga ana tjetër, qeveria argumenton se Veliaj nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi për shkarkim nuk është marrë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës, por në bazë të ligjit të vetëqeverisjes vendore, dhe duke bërë kështu Gjykatën Administrative si kompetente për shqyrtimin e çështjes.
Në seancë, Veliaj pritet të mbështetet edhe në një raport të Komisionit të Venecias, ku thuhet se shkarkimi i një të zgjedhuri vendor është masë e jashtëzakonshme që duhet përdorur vetëm në raste të rënda, pasi cënon autonominë vendore dhe të drejtat themelore. Raporti thekson gjithashtu se paraburgimi i zgjatur i të zgjedhurve mund të cenojë të drejta të garantuara nga Konventa Evropiane, si liria e shprehjes dhe pjesëmarrja efektive në jetën politike.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
 
			





