Mazhoranca i ka kërkuar presidentit Ilir Meta dekretimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme në 6 bashkitë pa kryetar.
Të enjten Gjykata Kushtetuese nuk pranoi padinë për anulimin e 30 qershorit dhe socialistët presin zgjedhje vetëm në bashkitë e prekura nga dekriminalizimi. Ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili u shpreh seështë presidenti ai i cili e ka këtë kompetencë. Balla i kërkoi Metës të marrë vendimmarrje në atë që përcakton Kushtetuta lidhur me këtë rast.
Deputeti po ashtu u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i drejtë dhe tregon se asnjë palë nuk mund të pengojë zgjedhjet pasi sipas tij pati përpjekje nga Partia Demokratike dhe nga parti të tjera për t’i minuar ato.
“Gjej rastin të shpreh vlerësimin për institucionet e ngarkuara nga Kushtetua për organizimin e proceseve zgjedhore. Të gjithë e mbani mend, që i përcollët vendimmarrjet e presidentit, për anulimin e mbajtjeve të zgjedhjeve vendore. Kuvendi u shpreh për rivendosjen e respektimit të Kushtetutës.
Vendimi i Gjykatës ishte i duhur, është sovrani që vendos, çdo përpjekje për t’i hequr të drejtën popullit, asnjë palë nuk mund të pengojë në zgjedhjet. PS është sot krenare për vendimmarrjen e vet për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit dhe të mos harrojmë që pati një përpjekje nga PD dhe partitë e tjera për të minuar këto zgjedhje. Shpreh vlerësimin për konsulencës dhe dobinë që marrim nga Venecia. Opinioni duhet pranuar nga të gjitha palët. Presidenti duhet të marrë vendie në atë që përcakton Kushtetuta në këtë rast. Është presidenti që e ka këtë kompetencë”, u shpreh Balla.
Shkarkimi i presidentit
Nga ana tjetër, deputeti i PS, Taulant Balla u ndal edhe tek shkarkimi i presidentit Ilir Meta. Balla tha se presidenti është shkarkuar nga Kuvendi që në muajin qershor të këtij viti, por pritet vendimi final i Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, në bazë të asaj që Kushtetuta parashikon, presidenti vijon të jetë në detyrë deri në një vendim të Kushtueses.
“Gjykata Kushtetuese ka hyrë në afatet kushtetuese për t’u shprehur mbi vendimin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Presidenti aktual i Republikës është shkarkuar me vendim të Kuvendit në qershor të këtij viti. Kushtetuta na detyron që Presidenti i Republikës të vazhdojë të jetë në detyrë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Është përsëri në respekt të vlerave kushtetuese që mos të flasim për këtë çështje sa kohë të flasë Gjykata Kushtetuese. Ne e kemi përfunduar vendimin për këtë çështje me votë në Kuvend.
Kur flet gjykata duhet ta respektojmë”, tha Balla. Gjykata Kushtetuese vendosi të kalojë për gjykim vendimin e Kuvendit, por ende nuk ka një datë se kur do të mbahet seanca. Pas zgjedhjeve kjo është çështja më e rëndësishme në duart e gjyqtarëve.