Ndërkombëtarët kanë përshëndetur ditën e djeshme vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila ka rrëzuar çështjen e ngritur nga ish-Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, në lidhje me procesin e vetingut të gjyqtarëve.
Fillimisht ka qenë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale u ka dërguar një mesazh të qartë kritikëve të reformës në drejtësi e veçanërisht vetingut, ndërsa shkruan se vendimi i ardhur nga procesi i vetingut ku u shkarkua Xhoxhaj ishte i drejtë.
“Gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut për Altina Xhoxhajn- Procedurat e vetingut që çuan në shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese ishin të drejta dhe proporcionale”, shkruan ambasadorja amerikanë në Tiranë, Yuri Kim. Nga ana tjetër sa i takon vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila rrëzoi pretendimet e gjykatëses Altina Xhoxhaj, për shkarkim të parregullt nga detyra pas procesit të vetingut, ka reaguar edhe shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera.
Në një postim në “Twitter”, Calavera shkruan se vendimi i GJEDNJ është i drejtë, ndërsa thekson se kësisoj mesazhesh janë të dobishme për reformën në drejtësi dhe një sinjal i keq për kritikët e saj. “Shkarkimi i Xhoxhajt i drejtë dhe proporcional. Vendimi forcon procesin e vetingut dhe ofron një guidë për institucionet e vetingut”, shkruan shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, e cila dërgoi dhe një mesazh ndaj kritikëve, pasi sulmet ndaj saj kanë qenë të shumta. Nga ana tjetër, një reagim për vendimin e Strasburgut ka bërë dje edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Përmes një postimi në “Facebook”, Gjonaj shkruan se ky vendim tregon dhe njëherë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e reformës në drejtësi. Vendimi i sotshëm i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut tregon edhe njëherë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e veprimtarisë dhe funksionimit të institucioneve të vetingut dhe reformës në drejtësi! Të vendosur për të mbështetur zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri”, shkruan ministrja Gjonaj.
SPAK asnjë pengesë të nisë hetimet
Por vendimi i Strasburgut për të legjitimuar procesin e vetingut dhe madje për rrjedhojë edhe reformën në drejtësi, duket se është një kambanë alarmi për gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë. Kjo pasi shumica e tyre kanë ngelur për shkak se nuk kanë justifikuar pasurinë dhe kanë bërë pastrim parash, kështu që vendimi i djeshëm i Strasburgut, tregoi se vetingu është i drejtë dhe kësisoj i hapet rruga që Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të nisë hetimet për ta.
Vetë kryeministri Edi Rama herë pas here ka kërkuar që të hetohen ngelësat e vetingut, ndërkohë që të njëjtën gjë e kërkojnë fuqishëm edhe ndërkombëtarët. Për Brukselin nisja e hetimeve për gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting është një kusht që duhet të plotësohet nga Tirana zyrtare sa i takon procesit të vetingut. Ç’ka do të thotë se SPAK tashmë e ka më të lehtë për të vijuar hetimet për ta, pasi vetingu tashmë konsiderohet i drejtë dhe nuk ka pse të ketë ndrojtje./Rigels Seliman