Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Kaçe Agolli u përball në KPK me dyshime për përfitim të paligjshëm të një apartamenti, një raport me probleme të profesionalizmit dhe dyshimet mbi një vendim që i jepte 433 milion euro dëmshpërblim kompanisë së biznesmenit të shumë përfolur Francesco Bechetti kundër gjigandit italian të energjisë Enel.
Nga Vladimir Karaj
Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Kaçe Agolli u përball të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me probleme të pasurisë dhe një bilanc negativ që varionte nga 4.3 në 6.7 milion lekë. Agollit po ashtu iu bë me dije se ndaj saj kishte një raport kritik prej Këshillit të Lartë Gjyqësorë, i cili kishte gjetur një sërë problemesh në dosjet e saj përfshi mungesë të kërkesë padive dhe mungesë aktesh proceduriale.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen në çështjen e Agollit ishte një vendim i vitit 2009 i një tresheje gjyqtaresh të gjykatës së Tiranës, pjesë e të cilës dhe Agolli , që i dha Albania Beg Ambient kompanisë së biznesmenit Francesco Bechetit një dëmshpërblim prej 433 milion eurosh që duhej të paguhej nga kompania italiane Enel.
Vendimi i gjykatës i marrë me shumicë me votën e Agollit dhe një prej kolegeve, i jepte biznesmenit kontrovers, 25 milion euro si dëmshpërblim dhe detyronte Enel të paguante fitim të munguar pë rmos ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit nga viti 2005 deri në vitin 2011.
Relatorja e çështjes së Agollit Valbona Sanxhaktari, pjesë e një trupë të drejtuar nga Xhensila Pine me anëtarë Olsi Komicin, vuri në dukje se vendimi i gjykatës shqiptare i lënë në fuqi në të tre shkallët, ishte cilësuar nga gjykata Supreme në Amsterdam si një “gabim i dukshëm” mbi fakte e prova për të cilat “asnjë gjykatë nuk do të kishte dalë me vendim të ngjashëm”.
Avoktja Irena Resa që bëri mbrojtje e Agolli kundërshtoi pretendimin duke iu referuar faktit që vendimi ishte lënë në fuqi nga tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Resa këmbënguli edhe që problemet e pasurisë të vëna në dukje nga KPK nuk qëndronin dhe se pasuria e gjyqtares kishte burime të ligjshme.
Kaçe Agolli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.
Dosja Beccheti
Sanxhaktari që referoi fillimisht një raport të rrallë kritik në kriterin e profesionalizmit të lëshuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë, vuri në dukje se Komisioni kishte marrë një indicie në lidhje me çështjen e kompanisë së Becchettit kundër Enel.
Biznesmeni Francesco Beccheti, prej kohësh është një temë debati politik në Shqipëri, pasi fitoi në arbitrazh ndërkombëtar 110 milion euro nga shteti shqiptar, i cili i sekuestroi pasuritë përfshi televizionin “Agon”. Rasti që po ashtu ka të bëjë me koncesionin për ndërtimin e një HEC-i në Kalivaç, megjithatë mbetet kontrovers.
Në referimin që pasoi Sanxhaktari tha se gjyqtarja në pakicë kishte kundërshtuar vendimin e dy kolegeve duke vënë në dukje se Gjykata e Tiranës nuk kishte kompetencë mbi çështjen në fjalë që i përkiste një kontrate të bërë jashtë Shqipërisë dhe një juridiksioni ndërkombëtar. Sanxhaktari tha se denoncimi ngrite dyshime për ndikim të paligjshëm të gjyqtarëve shqiptarë të përfshirë në këtë çështje.
Por avokatja këmbënguli se kompetenca ishte përcaktuar mbi bazë të vendit ku ishte shkaktuar dëmi. “Deri sa hidrocentrali po ndërtohej në Shqipëri dhe dëmi për mos ndërtimin e tij ndodhi në Shqipëri”, vuri ajo në dukje.
Resa megjithatë nuk duket se pati shpjegime të tjera mbi çështjen dhe as mbi komentet e bëra nga gjykata Supreme në Amsterdam. Sanxhaktari lexoi se kjo e fundit kishte dalë në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Tiranës dhe i asaj të Apelit që e kishte lënë atë në fuqi. “Vendimi është aq evident në kundërshtim me të drejtën shqiptare”, thuhej në arsyetimin që lexoi Sanxhaktari.
Po ashtu Sanxhaktari tha se gjykata Holandeze e kishte gjetur vendimin në kundërshtim me nenin 6 të Konventës europiane për të Drejtat e Njeriut për një proces të rregullt ligjorë. Resa tha se nuk e njohtë vendimin e gjykatës holandeze dhe kërkoi të njohej me të, pa u përgjigjur për këtë konstatim.
Francesco Ciardi, i cili ishte vëzhguesi ndërkombëtar në çështjen e Agolli, pyeti gjyqtaren se pse në caktimin e dëmshpërblimit që ai tha se shkonte 433 milion euro ishte marrë parasysh vetëm fitimet nga shitja e energjisë dhe nuk ishin mbajtur në konsideratë kostot e ndërtimit dhe të operimit të hidrocentralit, i cili nuk u ndërtua asnjëherë.
Resa në përgjigje tha se duhej të kishte qenë Enel ajo që duhej të kërkonte përfshirjen e kostove në llogaritje apo të bënte kundërpadi. Kur Ciardi lexoi se Enel qartësisht e kishte kërkuar këtë, Resa tha se nuk e njihte me detaje vendimin e Gjykatës së Tiranës. Agolli vetë nuk replikoi.
Çështja e pasurisë
Nga relatimi i Sanxhaktarit Agolli rezultoi me një diferencë negative finaciare që shkonte nga 4.3 milion në variantin kur nuk llogaritej si shpenzim qëndrimi me qira i vajzës së gjyqtares në Nju Jork deri në 6.7 milion nëse kjo e fundit konsiderohej se qëndronte me qira.
Sipas Sanxhaktarit Agolli kishte paraqitur vetëm një letër që përcaktonte se e bija jetonte në shtëpinë e një shtetaseje amerikane, por në të nuk thuaj nëse paguhej apo jo qira. Resa pretendoi se vajza qëndronte pa pagesë në shtëpinë e shtetases amerikane dhe se shpenzimet e familjes për të ishin të deklaruara.
KPK nga ana tjetër vuri në dukje se nuk kishte vendosur se cilin nga variantet do të pranonte si të drejtë, por u la të kuptohej se pavarësisht kësaj Agolli sërish nuk justifikonte 4.3 milion lekë. Shumica dërrmuese e kësaj sasie rreth 21 mijë dollarë amerikanë ishin të ardhura që pretendoheshin nga dhënia me qira e një apartamenti. Sanxhaktari tha se për këto të ardhura nuk provohej pagesa e tatimit në burim.
Resa kundërshtoi gjetjen duke këmbëngulur se kjo pagesë i takonte kompanisë që kishte marrë me qira apartamentin dhe jo subjektit.
Përndryshe vetë apartamenti dhe një shtesë e ndërtuar nga i gjithë pallati rezultuan me probleme. Sanxhaktari vuri në dukje se Agolli dhe bashkëshorti edhe pse kishin pasur një apartament bashkë me prindërit e kësaj të fundit, kishin përfituar apartamentin tjetër nga Enti Kombëtar i Banesave si të pastrehë. Sanxhaktari tha se përfitimi dukej i paligjshëm dhe se më pas apartamenti ishte përdorur për biznes dhe ishte dhënë me qira.
Në fjalën e saj Resa këmbënguli se gjithçka ishte e ligjshme. Ajo tha se ishte e vërtet që çifti kishte pasur pjesë në apartamentin e prindërve të Agollit, por këtë pjesë ua kishin dhuruar këtyre në vitin 1996 dhe më pas në vitin 1997 kishin përfituar si të pastrehë nga EKB. “Nga pikëpamja morale ndoshta ka të drejtë Komisioni”, tha avokatja, ndërsa këmbënguli se me ligjin Agolli dhe bashkëshorti ishin korrekt.
Një shtesë e ndërtuar në këtë apartament sëbashku me fqinjët po ashtu u rezultoi problematike. Sanxhaktari tha se për të mbuluar ndërtimin pa leje aplikimi për legalizim të shtesës ishte bërë në emër të nënës së subjektit. Ajo vuri në dukje se dukej sikur kjo ishte një zgjidhje për të shmangur përgjegjësinë e gjyqtares në ndërtimin pa leje.
Resa kundërshtoi këto gjetja, ndërsa u justifikua duke thënë se ndërtimet pa leje në një kohë kishin përfshirë gjithë vendin dhe se gjyqtarët nuk bënin ndonjë përjashtim.
Sidoqoftë KPK vuri në dukje se mungonin deklarimet për kostot e ndërtimit të shtesës dhe një sërë mungesash të tjera. Po ashtu Komisioni tha se bazuar në deklarimet dhe mosdeklarimet e Agollit dhe gjetjet e KPK-së qoftë për shtesën qoftë për investime të tjera të familjes mungonin burimet e ligjshme.
Resa kundërshtoi analizën financiare të Komisionit dhe vuri në dukje se nuk ishte llogaritur dieta që bashkëshorti i saj kishte marrë si shoqërues i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit. Ajo vuri në dukje edhe disa probleme të tjera në analizë që këkoi të merreshin parasysh, përfshi të ardhurat nga qiraja.
Në fund Agolli kërkoi përmes avokates që të konfirmohej në detyrë. Seanca e vendimit u caktua në datën 10 shtator në orën 9.30.