Komisioni i Venecias miratoi dje opinionin përfundimtar për ndryshimet Kushtetuese dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke rrëzuar pretendimet e presidentit Ilir Meta dhe opozitës joparlamentare në tërësi, të cilët kërkonin mos-njohjen e ndryshimeve që bëri Kuvendi.
Në 21 tetor të këtij viti presidenti Meta iu drejtua Komisionit të Venecias për një opinion të specializuar mbi ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që Kodin e ri Zgjedhor e cilësoi të njëanshëm dhe që shkeli marrëveshjen e 5 qershorit, pasi sipas tij, ai nuk mundëson as listat e hapura, ndryshe nga sa u premtua. Por ditën e djeshme Venecia iu përgjigj zyrtarisht kërkesës së kreut të shtetit, i cili foli edhe në emër të opozitës jo parlamentare të kryesuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa ka prerë shpresat e tyre sa i takon përmbysjes së Kodit të ri Zgjedhor, pasi i njeh ato, sikundër është shprehur edhe në raportin paraprak, që iu dërgoi palëve pak ditë më parë.
Raporti për reformën zgjedhore nuk ndryshon
Kështu, në këtë dokument final mësohet se nuk është miratuar asnjë ndryshim i kërkuar nga presidenti Ilir Meta. Sipas raportit final ndryshimet janë në përputhje me standardet më të mira në zgjedhje. Po ashtu, komisioni kritikon veprimet e djegies së mandateve nga opozita jashtëparlamentare si akt kundër trashëgimisë elektorale europiane dhe nuk mund të jetë sot kritikuese kur e la procesin institucional në rrugë.
Në raport theksohet gjithashtu se Kuvendi është legjitim për sa kohë ka gjithë kuorumet e nevojshme për çdo vendimmarrje. Ekspertët e Venecias kanë cekur edhe çështjen shumë të debatuar të koalicioneve. Ata janë shprehur se koalicionet sipas ndryshimeve ligjore janë në rregull me standardet. Komisioni i Venecias nuk ka analizuar procedurën parlamentare dhe nuk thotë se ka një standard sa zgjat një procedurë e tillë për ndryshime kushtetuese. Kuvendi ka sqaruar respektimin e procedurave dhe afateve në Kushtetutë e rregulloren e tij si dhe konsultimin publik.
Ndërkohë, mësohet se Komisioni i Venecias në rekomandimet e bëra thekson nevojën e gjithë palëve të kontribuojnë për organizimin e zgjedhjeve më 25 prill 2021 dhe ndryshimet ligjore rekomandohet pas zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias thekson se ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa të ndikojë në rezultatin zgjedhor. Sipas tyre, heqja e koalicioneve parazgjedhore është e papërfillshme.
“Në lidhje me debatin për ndryshimin e formulës së koalicioneve, nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime në shpërndarjen e një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament”, thuhet në dokument.
LSI dhe partitë e vogla rrezikojnë shkrirjen
Por fakti që të gjithë pritet do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare pa koalicione parazgjedhore, pritet të sjellë edhe një rivalitet të fortë brenda partive të opozitës. Kodi i ri Zgjedhor favorizon vetëm partitë e mëdha në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Kështu që partitë e vogla pritet që të luftojnë fort për të mbijetuar. Por megjithatë pavarësisht kësaj, ka zëra se vetëm aleatët tradicionalë të tij dhe JO LSI-në, kryedemokratit Lulzim Basha pritet që t’i fusë në listën e përbashkët të Partisë Demokratike, duke iu dhënë mundësinë që të dalin deputetë.
Mirëpo krejt ndryshe situata paraqitet në partinë e Kryemadhit, pasi koha ka treguar se me heqjen e koalicioneve parazgjedhore del më e dëmtuar. Një gjë e tillë ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, ku Lëvizja Socialiste për Integrim hyri e ndarë dhe pa koalicione në garë, duke marrë më pak deputetë se sa do të kishte marrë nëse do të hynte në koalicion me një nga partitë e mëdha. Kështu që gjasat janë që nëse LSI nuk do të hyjë në listë të përbashkët me PD, gjasat janë që edhe në zgjedhjet e 25 prillit të dalë partia më e dëmtuar./Rigels Seliman